Vendosni fjalën kyçe....

Rusia: SHBA ende s’i ka dhënë viza Lavrovit dhe delegacionit të tij për të marrë pjesë në Asamblenë e OKB-së


Rusia ka kërkuar 56 viza nga Shtetet e Bashkuara për të lejuar ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe delegacionin e tij të udhëtojnë në Nju Jork për mbledhjen vjetore të liderëve botërorë në Kombet e Bashkuara këtë muaj. Por deri më tani nuk ka marrë asnjë vizë.

Siç shkruan Reuters, në një letër drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, ambasadori rus i Kombeve të Bashkuara Vassily Nebenzia tha se kjo ishte “alarmante” sepse gjatë disa muajve të fundit Uashingtoni “kishte refuzuar vazhdimisht t’u jepte viza hyrjeje” një numri delegatësh rusë për aktivitete të tjera të OKB-së.

Por një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, tha se Shtetet e Bashkuara i marrin seriozisht detyrimet e tyre si vend pritës i OKB-së dhe se të dhënat e vizave janë konfidenciale sipas ligjit të SHBA-së, kështu që nuk mund të komentojë për rastet individuale.

Sipas “marrëveshjes së selisë së OKB-së” të vitit 1947, Shteteve të Bashkuara përgjithësisht u kërkohet të lejojnë hyrjen për diplomatët e huaj. Por Uashingtoni thotë se mund të refuzojë vizat për arsye të “sigurisë, terrorizmit dhe politikës së jashtme”.

Marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë janë prishur që kur Moska pushtoi Ukrainën fqinje në shkurt.

“Ne përpunojmë qindra viza çdo vit për delegatët e Federatës Ruse në ngjarjet e OKB-së.”– tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, duke shtuar se aplikimet duhet të dorëzohen sa më shpejt që të jetë e mundur për të siguruar përpunimin në kohë.

“Kjo është veçanërisht e rëndësishme për shkak të veprimeve të pajustifikuara të Rusisë kundër ambasadës sonë në Rusi, duke përfshirë ndërprerjen e detyruar të stafit kombëtar vendas dhe të vendeve të treta, të cilat kanë kufizuar rëndë stafin tonë dhe për rrjedhojë kapacitetin tonë për të përpunuar vizat.“- tha zëdhënësi sipas Reuters.

Ambasadori rus Nebenzia tha se aplikimet e nevojshme ishin dorëzuar në Ambasadën e SHBA-së në Moskë.

56 vizat e kërkuara nga Moska përfshijnë një ekip paraprak diplomatësh për t’u përgatitur për ardhjen e Lavrovit dhe delegacionit të tij për takimin e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, që fillon më 20 shtator.

Nebenzia shtoi se asnjë vizë nuk ishte dhënë ende për gazetarët që shoqëronin Lavrov dhe ekuipazhin e fluturimit.

Ai i kërkoi Guterres që “të theksojë edhe një herë autoriteteve të Shteteve të Bashkuara se ata duhet të lëshojnë menjëherë vizat e kërkuara për të gjithë delegatët rusë dhe personat shoqërues, përfshirë gazetarët rusë”.

Zëdhënësi i OKB-së Eri Kaneko tha se Guterres dhe zyrtarë të tjerë të lartë të OKB-së janë në kontakt të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë lidhur me vizat.

“Ne angazhohemi në mënyrë proaktive me Misionin e SHBA-ve për vizat … dhe lidhemi me Misionin për raste të veçanta që na janë vënë në vëmendje. Ne po e bëjmë këtë në këtë rast.”- tha Kaneko.

Shtetet e Bashkuara kanë kufizuar prej kohësh diplomatët rusë të OKB-së dhe delegacionet ruse të udhëtojnë më shumë se 40 km nga qyteti i Nju Jorkut pa miratimin paraprak të Uashingtonit.