Vendosni fjalën kyçe....

I shtoi sytë pikturës së ekspozuar, dënohet roja i muzeut


Një gjykatë e qarkut në qytetin rus të Ekaterinburgut ka marrë një vendim në rastin e një roje sigurie që ‘rregulloi’ një pikturë të ekspozuar në një muze, duke i shtuar sytë figurave pa sy të veprës.

I pandehuri, Aleksandr Vasilyev, u urdhërua të kërkonte ndihmë psikiatrike. Ai do shërbejë gjithashtu 180 orë shërbim në komunitet për aktin e tij të vandalizmit, vendosi gjykata të hënën.

Incidenti ndodhi në janar, kur Vasilyev, një veteran lufte i punësuar nga një firmë private sigurie, sapo ishte punësuar në muzeun e Qendrës Yeltsin. Piktura e viteve 1930 ‘Tre Figurat’ nga Anna Leporskaya, një studente e artistit të njohur botëror të avangardës Kazimir Malevich, ishte huazuar nga Galeria Tretyakov në Moskë.

Vasilyev tha gjatë gjyqit se dëgjoi disa vizitorë duke thënë se tre figurat në pikturë do të dukeshin më mirë me tiparet e fytyrës, kështu që ai nxori një stilolaps dhe shtoi sytë.

Ai pretendoi se kishte menduar se pjesa ishte vepër e një fëmije dhe se nuk kishte shumë vlerë. Megjithatë, pronari vlerësoi dëmin e shkaktuar në veprën e artit prej 75 milionë rubla (1.25 milionë dollarë) në 250.000 rubla dëm (4,150 dollarë).

Avokati i tij u përpoq të reduktonte akuzat, në mënyrë që klieneti të mos kishte një precedent penal. Por gjykata e kundërshtoi kërkesën për faktin se i pandehuri këmbënguli se nuk kishte bërë asgjë të keqe.

Gjatë gjyqit, disa figura publike, përfshirë guvernatorin e rajonit të Uraleve, ku ndodhet Ekaterinburgu, bënë thirrje për mëshirë për Vasilyev.