Vendosni fjalën kyçe....

Rrënimi i sportistit Ilir Suli dhe një video e tij me Edi Ramën


“Nuk është rasti as për të bërë propagandë dhe as për të shfrytëzuar imazhin e tyre për veten tonë.”- kështu shprehej Edi Rama 22 vite më parë kur priste në Rinas një nënkampion bote në peshëngritje.

Por sot u bë krejt e kundërta me shpalljen e Luiza Gegës “kampione Evrope” në atletikë. Në ceremoninë e sotme në Kryeministri u mbajtën fjalime pa fund për arritjet e bëra në vitet e fundit dhe me shpërblimet që do u jepen sportistëve “në të ardhmen” me aplikimin e ligjit të ri për sportin. Po ashtu u bënë edhe disa batuta. Por sa do mbahen këto premtime, të cilat nuk janë të reja për kryeministrin Edi Rama, i cili është në pushtet prej 2013-ës. Por ka qenë edhe më parë në poste të tjera të larta.

 

Këto janë pamjet që tregojnë se si në vitin 2000 pritej një nënkampion bote në Shqipëri.  Rama asokohe ishte ministër i Kulturës dhe i Sporteve, kur priste peshëngritësin Ilirjan Sulin pas suksesit që kishte korrur duke u kthyer me 1 medalje argjendi dhe dy bronzi nga kampionati Evropian.

Rama shprehej se do linte sportistët të flisnin për kushtet, pasi nuk ishte koha për të shfrytëzuar suksesin e tyre për propagandë.

“Kushtet e tyre janë në përmirësim të vazhdueshëm dhe rezultatet kanë të bëjnë pikërisht me përmirësimin e kushteve. Ata mund të flasin vetë, nuk është rasti as për të bërë propagandë dhe as për të shfrytëzuar imazhin e tyre për veten tonë. Ne jemi thjesht në shërbim të tyre.”- shprehej Rama asokohe.

Ilirjan Suli është një nga shembujt se si trajtohet një kampion në Shqipëri, qoftë nga qeverisjet demokratike e qoftë ato socialiste. Pasi vite më vonë ai mbeti i papunë dhe u harrua krejtësisht nga shteti.

Një vit më parë, Ilirjan Suli u mor rastësisht në pyetje nga një gazetare në Sheshin Skënderbej, ku ai me dhimbje tregoi se është i papunë që kur ka lënë sportin dhe këshillonte të rinjtë shqiptarë të lënë sa më shpejt vendin.

“Bëni mirë të ikni nga Shqipëria, më dëgjoni mua. A e dini kush jam unë që po jua them? Ilir Suli, i vlerësuar ‘mjeshtër i madh i punës”’ nga presidenti, ish-nënkampioni i botës në shtangë. Pasi lashë sportin jam pa punë. Nuk i duan njerëzit që punojnë këta. Këta duan vetëm… s’po jua them më mirë.”– shprehej Suli, duke tronditur opinionin publik. Një tronditje që zgjati vetëm për pak ditë, pasi deklarata e tij më pas u harrua mes gjithë lajmeve që gëlojnë në Shqipërinë e vogël.

Suli është ish-nënkampion Bote në peshëngritje, ka fituar medalje bronzi në Europianin e vitit 2000 dhe ka marrë pjesë në dy olimpiada në vitet 1996 dhe 2000, tek të cilat u rendit në respektivisht i 14-ti dhe i 5-ti. Padyshim një nga peshëngritësit më të suksesshëm në një periudhë shumë të vështirë për Shqipërinë. Por me të drejtë lind pyetja, pas gjithë “festës” së sotme me arritjet e Luiza Gegës, po me të çdo të ndodhë pas 1 apo dy dekadash?