Vendosni fjalën kyçe....

Franca themelon ‘Policinë e Gjelbër’, 3000 oficerët do ‘luftojnë’ ndryshimet klimatike


Një ministër i lartë në Francë ka kërkuar që vendi të krijojë 3000 vende pune për ‘Policinë e Gjelbër’ përballë ngrohjes globale.

Gérald Darmanin, i cili shërben si ministër i Brendshëm i Francës, ka njoftuar se synon të krijojë 3000 vende pune për zyrtarët e rinj të ‘policisë së gjelbër’, një lëvizje që ai e ka konsideruar të nevojshme përballë ndryshimit të klimës.

Lajmet për krijimin e mundshëm të këtyre vendeve të reja të punës në Francë pasojnë thirrjet e Bashkimit Evropian për krijimin e një ‘Force të Mbrojtjes Civile’ në mbarë bllokun për të luftuar efektet e ndryshimeve klimatike nën kontrollin e Brukselit, një veprim i kritikuar nga disa si një përpjekje e eurokratëve për të grumbulluar edhe më shumë pushtet.

Në një intervistë me ‘Le Journal du Dimanche’, Darmanin justifikoi krijimin e 3000 vendeve të reja që synojnë posaçërisht çështjet kriminale të lidhura me gjelbërimin duke përmendur efektet që ka pasur ndryshimi klimatik në Francë, veçanërisht në lidhje me zjarret në pyje, nëntë nga dhjetë prej të cilave dyshohet se janë shkaktuar nga njerëzit.

“Do të jetë një revolucion.” – shtoi Darmanin.

Plani i ministrit francez për të sjellë 3,000 ‘policë të gjelbër’ vjen ndërsa zyrtarët në Evropë po shikojnë zgjerimin e burimeve të tyre, gjoja për të luftuar efektet e ndryshimeve klimatike.

Në veçanti, një eurokrat javën e kaluar kërkoi që Brukselit t’i jepeshin më shumë kompetenca për të krijuar një ‘Forcë të Mbrojtjes Civile’ drejtpërdrejt nën kontrollin e tij, e cila do të ishte në gjendje të ‘mbronte’ shtetet anëtare nga fatkeqësitë që pretendohet se janë shkaktuar nga ndryshimi i klimës.

Megjithatë, një sugjerim i tillë është denoncuar nga kritikët, me një eurodeputet që tha se ‘burokratët e pazgjedhur’ në organizatë ‘po përdorin çdo justifikim për të rrëmbyer më shumë pushtet’.

“Këta burokratë evropianë nuk janë zgjidhja, por shkaku i shumë problemeve me të cilat po përballet BE-ja, dhe kriza thellësisht e dëmshme e energjisë është vetëm një dëshmi e kësaj.” – tha Cristian Terhes, një deputet i Parlamentit Evropian (PE) për Rumaninë.

“T’u japësh më shumë pushtet këtyre burokratëve të papërgjegjshëm do ishte thjesht e papërgjegjshme.” – vazhdoi ai.

Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani