Vendosni fjalën kyçe....

Tendencat e reja, fasonët hapin linja prodhimi për zonat rurale


Mungesa e fuqisë punëtore ka krijuar tendenca të reja në Shqipëri, siç është në sektorin fason, që për herë të parë po hapin linja të reja prodhimi për zonat rurale, ku nuk ka ekzistuar më parë industria, përveç punësimeve të grave nga Azia.

Edvin Prençe, Kryetari i Proeksport Albania, tha se ka mungesë të theksuar për 20,000 vende të lira pune.

“Një politikë e re që po ndiqet me kujdes nga drejtuesit e Proeksport Albania për anëtarët e saj dhe ka filluar në aktivizimin e tij, është marrja e punëtorëve nga vende të treta si Filipine, Nepali e Birmania (Neymar) me përvojë të ngjashme në vendet e tyre për sektorin tonë dhe shumica të gjinisë femërore, për të ruajtur historikun që ky sektor ka me rreth 98% të punonjësve të përbërë nga gratë.

Kjo zgjidhje ka kosto, mundim dhe risi për sektorin, po ashtu është e dhimbshme, duke qenë gjithmonë një sektor tradicionalisht patriotik dhe 100% shqiptar. Megjithatë është një zgjidhje e domosdoshme, duke pasur mungesë të theksuar në punonjës në rreth 20,000 vende të lira pune.

Gjithashtu vihet re një tendencë në rritje për zhvendosjen e fabrikave prodhuese në zonat e thella rurale, kur deri dje nuk kishte as edhe një biznes prodhues në ato zona. Edhe këtu po ndeshemi me vështirësi dhe kosto me përgatitjen profesionale të këtyre punonjësve.

Këto kosto pothuajse po përballohen plotësisht nga vetë bizneset dhe nuk ka incentiva për mbështetjen e këtyre bizneseve. Pra, nuk ka braktisje të fabrikave, por zakonisht hapje të një linje të re prodhuese për të rritur prodhimin, kusht i vënë nga klientët e huaj se në të kundërt shkojnë në vend tjetër. Kostoja minimale për ngritjen e një linje të zakonshme, varion nga 80,000 deri në 100,000 euro”.

Përfaqësuesi i Proeksport Albania thotë se me mbylljen e Kinës, rritja e kostove të transportit dhe afateve me këtë vend dhe lufta në Ukrainë, ka rritur kërkesat për prodhim nga vendet europiane në krahasim me 2021, në rreth 130%.

“Rritja e çmimeve të lëndëve të para është vetëm një pjesë e rritjes në përgjithësi të kostove të një fabrike prodhuese të veshjeve dhe këpucëve. Kjo rritje është në rang global dhe ka çuar në ulje të këtyre blerjeve.

Sektorin po e çon në një kolaps të vërtetë ulja e kursit të këmbimit (dhe jo për faktin e rritjes ekonomike në vend), rritja e kostos së energjisë, karburantit, taksave qendrore e lokale. Disa biznese e kishin çmimin e energjisë 11 lekë e disa 14 lekë, ndërsa sot e kanë 18,8 lekë/kwh.

Mungesat në punonjës, mungesa e likuiditetit që kanë bizneset për investime, rritja e kostove të paparashikueshme dhe mosmbështetja nga ana e qeverisë, po favorizon vendet e tjera ballkanike si Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Pyetja për qeveritarët është: Duam që vendi të jetë një faktor i rëndësishëm prodhues në rajon, duam të kemi një rritje reale ekonomike; Ju çfarë po bëni dhe prisni akoma që të reagoni e të na mbështetni?”, pohon Prençe.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor