Vendosni fjalën kyçe....

Katër vrasje në 24 orë/ Tedi Blushi: Përgjegjës është Rama, 10 vjet në pushtet promovoi vetëm krimin dhe trafikun e drogës



Katër vrasje kanë ndodhur në 24 orët e fundit në Vlorë, Elbasan dhe Sarandë.

Lidhur me këtë ka reaguar sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i cili thotë se në këtë vend nuk ka shtet, por vetëm krim që ka shtetin e vet.

Në një postim në “Facebook”, Blushi thotë se mungesa e autoritetit të shtetit dhe vigjilencës për të parandaluar dhe goditur krimin përpara se ai të marrë jetët e qytetarëve është një akuzë e fortë për Kryeministrin, Ministrin e Brendshëm dhe Policinë e Shtetit.

“NUK KA SHTET! KA VETËM KRIM QË KA SHTETIN E VET!

Katër viktima në më pak se 24 orë është bilanci tragjik i revanshit të krimit dhe pasigurisë së jetës në mbarë vendin.

Mungesa e autoritetit të shtetit dhe vigjilencës për të parandaluar dhe goditur krimin përpara se ai të marrë jetët e qytetarëve është një akuzë e fortë për Kryeministrin, Ministrin e Brendshëm dhe Policinë e Shtetit.

Të kontrollosh jetën private, ‘deri edhe mendimet’ e qytetarëve nëpërmjet patronazhistëve, por të dështosh me institucionet e ngarkuara me ligj në parandalimin e vrasjeve dhe moskapjen e autorëve të tyre do të thotë se kjo Qeveri është në aleancë me krimin, mburojë dhe frymëzuese e tij.”- shkruan Blushi.

Ai bën kryeministrin Edi Rama përgjegjës për situatën e krimit në vend, pasi ai në 10 vjet pushtet sipas Blushit ka promovuar vetëm krimin dhe trafikun e drogës.

“Një Kryeministër që 10 vite në pushtet promovoi krimin dhe trafikun e drogës me ministra në Qeveri, deputetë, kryebashkiakë dhe drejtorë në administratë është tregues se në Shqipëri krimi e ka kapur për fyti shtetin.

Është Rama përgjegjës që krimi nga nëntoka, ka dalë në publik dhe demonstron forcën para qytetarëve, duke u marrë deri dhe jetën.”– përfundon Sekretari i Përgjithshëm i PL-së.