Vendosni fjalën kyçe....

PD pesë pyetje për Ramën e SPAK-un: Zoto, Mërtiri e Gugallja krijuan kompania guacka për të vjedhur 430 milionë euro


Partia Demokratike ka publikuar të tjera fakte sipas saj lidhur me aferën e inceneratorëve.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, anëtari i Këshillit Kombëtar Jamarbër Malltezi tha se SPAK e ka mbyllur gojën ndërkohë që përditë e më shumë dalin fakte mbi atë që ai e quajti afera e shekullit.

Malltezi tha se të katër kompanitë e krijuara e që kanë lidhje me inceneratorët janë guacka dhe janë krijuar vetëm për të fshehur gjurmët e lëvizjeve të parave publike. “Të katër kompanitë, Integrated Energy, Geogenix, Almares Management, Residence Corporate Services janë guaca pa staf dhe pa asnjë eksperiencë pune me mbetjet, por të krijuara veç për të fshehur gjurmët e lëvizjeve të parave publike. Të katërta këto kompani kanë të njëjtën adresë (Delflandlaan 1, Queens Toëer – Office 916, 1062 EA Amsterdam) siç e kanë edhe qindra kompani të tjera guacë. Sipas dokumenteve nga regjistri i kompanive në Hollandë, Guaca “Geogenix” (ish – Integrated Energy) ka vetëm 50 mijë euro të krijuara vetëm nga transferta “bujare” e Klodian Zotos e cila nga ana e saj vjen nga qindra miliona eurot e dhuruara bujarisht nga Rama-Ahmetaj-Agaçi-Veliaj. Guaca “Almares” që kontrollon “Geogenix” ka vetëm 18 mijë euro. Po kaq ka edhe guaca që zotëron Almares. Sipas dokumenteve nga Hollanda, guaca “Geogenix” ka zero staf. Po zero staf ka edhe guaca “Almares Management”, ndërsa pronarja “Residence Corporate Services” ka dy staf. Këto na ishin kompanitë me eksperiencë të madhe të cilave Edi Rama u dha 8 pikë dhe përcaktoi se ku do të shkonin 128 milionë euro për Inceneratorin inekzistent të Tiranës.” – tha Malltezi.

Më tej ai shtoi se ‘kompania Geogenix (ish-Integrated Energy), nuk ka asnjë person në staf dhe 50 mijë euro dhuratë nga Klodian Zoto, është kompania bazë me të cilën po veprojnë Zoto-Mërtiri- Gugallja, por edhe sekserë të tjerë të qeverisë si studio Tashko-Pustina. Kompania, apo me saktë GUACA “Geogenix”, kontrollohet nga “Almares Management”, pra GUACA NËNË, një kompani me zero staf dhe vetëm18 mijë euro buxhet. Pronare e “Almares Management” është GUACA GJYSHE që quhet “Residence Corporate Services”, që gjithashtu ka vetëm 18 mijë euro dhe vetëm 2 punonjës/drejtorë për firmat, nga të cilat njëri ështe ai që firmos me Zoton ose Garganellin sipas rastit, e tjetra është pronarja A. Jangildina e lindur në Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike. PRA, asnjë shqiptar, madje as SPAK nuk e di se ku po shkojnë miliona euro që Edi Rama ia transferon në mënyrë bujare atje në drejtimin e paditur Zotos dhe Gugalles që janë me urdhër arresti ndërkombëtar, POR këtë e di shtetasja nga ish – Bashkimi Sovjetik – si pronare e Guacës “Gjyshe” që kontrollon guacat në varësi. Kjo Mega – Aferë është si gropë plehrash pambarim’.

Në fund Malltezi drejtoi pesë pyetje publike për kryeministrin Rama lidhur me koncesionarët e inceneratorëve.

“1.Pse i dha Edi Rama 8 pikë nga 10 të mundshme personazheve të përhershme sekserë si Zoto – Mërtiri e dy italianë të tjerë?

2. Pse u desh të fshihen në guaca mbesa, guaca nënë dhe guacka gjyshe nëse nuk ka asnjë vjedhje?

3.Cila nga këto guaca kishte eksperiencë të madhe në trajtimin e mbetjeve dhe ndërtimin e inceneratorëve siç ka deklaruar publikisht Edi Rama?

4.Kush e ka hartuar atë kontratë qe ia vutë të firmoste një bedel që nuk kishte lidhje as me financat e vendit dhe as me mbetjet e Tiranës?

5.A është në hetim Drejtoria Juridike e Kryeministrisë që ka detyrimin ligjor të hartojë kontratat që japin bujarisht 430 milion euro për disa guaca dhe që pastaj përfundojnë që të vdekurit apo 90 vjeçarët qenkan pronarët e kompanive të nënkontraktorëve të nënkontraktorëve?” – mbylli Malltezi.