Vendosni fjalën kyçe....

Berisha 2 kërkesa për qeverinë: Të subvencionohen urgjent biletat e transportit urban dhe interurban, të përgjysmohet taksimi i naftës


Ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë ka dalë në një deklaratë për mediet, ku ka folur për krizën e krijuar për shkak të rritjes së çmimeve.

“Për shkak së pari të çmimeve stratosferike, të krijuara në mënyrën më artificiale nga bordet e Edi Ramës.

Për shkak të përdorimit të të ardhurave buxhetore nga Edi Rama dhe qeveria e tij në funksion të vjedhjes dhe shpërdorimit të tyre masiv, siç është rasti i disbursimit të vazhdueshëm të fondeve publike mbi veprën e krimit, të cilësuar të tillë, djegësat e Fierit dhe Tiranës.

Siç është rasti i ligjit të parlamentit për të financuar me qindra milionë euro, klientelën e Edi Ramës, me të cilën ai ndan paratë.

Siç është rasti i prokurimeve të Korridorit Blu, apo korridorit të hajnisë.

Të gjitha këto po rrënojnë me shpejtësi ekonominë shqiptare, po rrënojnë buxhetet familjare.

Ajo që po e ndjen në mënyrën më të fuqishme, është sektori më kryesor i ekonomisë së vendit, turizmi.”– tha Berisha.

Ai i drejtoi dy kërkesa qeverisës. Berisha tha se PD kërkon përgjysmimin e menjëhershëm të taksimit të naftës, si dhe të subvencionohen urgjent biletat e transportit urban dhe interurban.

“Në këto rrethana emergjente, PD kërkon vendosjen e menjëhershme të subvencionimit të plotë të të gjitha biletave të transportit urban dhe interurban në territorin e Shqipërisë.

Ky propozim i PD nuk është i pabazuar, por i bazuar te një seri vendesh evropiane.

Ju kujtoj këtu se në Gjermani, me një biletë mujore prej 9 eurosh, lëviz në mbarë vendin.

Së dyti, PD kërkon përgjysmimin e menjëherëshëm të taksimit të naftës, që me vlerën 1.1 euro ëhtë më i larti në botë.

Ai është shndërruar në faktor kryesor të çmimit stratosferik të kësaj lënde djegëse në Shqipëri.

Përgjysmimi i kësaj barre fiskale, do të shoqërohej me një ulje korresponduese po kaq të rëndësishme të çmimit të naftës.

Ata që mendojnë se arka do boshatiset, kjo nuk është e vërtetë.

Mjafton që qeveria të zhdoganojë naftën që kalon jashtë sistemit doganor në Shqipëri.

Nuk ka asnjë mundësi që nafta të jetë kontrabandë, veçse kur patronohet nga dora e zezë e qeverisë.”- tha Berisha.

Ai paralajmëroi kryeministrin Edi Rama se edhe nëse ai nuk i merr parasysh këto kërkesa, do jetë revolta e qytetarëve do të vendosë për to: “Unë jam i vetëdijshëm se Edi Rama me arrogancën e tij dhe vesin e tmerrshëm të vjedhjes dhe pasurimit duke vjedhur fondet dhe pasuritë publike, nuk merr dhe nuk do marrë parasysh këto kërkesa.

Por unë e garantoj se qytetarët shqiptarë, me revoltën e tyre të ardhshme, do vendosin për këto kërkesa dhe kërkesa të tjera të programit të emergjencës së PD, siç është indeksimi i çmimeve dhe masa të tjera shumë të rëndësishme.”