Vendosni fjalën kyçe....

Prodhuesi indian i automjeteve ‘çmend’ klientët, shet 100,000 makina në gjysmë ore


Scorpio-N, nga një prej prodhimeve të fundit të një prej kompanive më të mëdha të automjeteve në Indi, Mahindra, rezultoi një sukses i menjëhershëm në tregun vendas, me 25,000 njësitë e para të shitura në më pak se një minutë pas nxjerrjes në treg, raportoi Carscoops këtë javë.

Furia e porosive bëri që faqja e internetit e prodhuesit të automjeteve të prishej brenda 55 sekondave dhe thuhet se la shumë më tepër blerës të mundshëm jashtë mundësisë për porosi.

Në total, kompania siguroi mbi 100,000 porosi brenda 30 minutave të para të hedhjes në treg të modelit. Meqenëse çdo prenotim përfshinte një depozitë të detyrueshme prej 18,000 rupish (227 dollarë), Mahindra arriti të fitojë një total prej 22.7 milionë dollarësh në gjysmë ore shitje.

Scorpio-N, të cilit kompania i referohet si ‘ati i madh i makinave sportive të mëdha’, është lloji më i fundit nga Mahindra me stil modern dhe teknologji të nivelit të lartë.

Modeli u njoftua majin e kaluar, me debutimin zyrtar që pasoi në qershor, por nuk doli në shitje deri javën e kaluar.

Nxitimi mes blerësve të mundshëm mund të jetë për shkak të çmimit deri diku të ulët që Mahindra ka vendosur në grupin e parë promocional të modelit Scorpio-N, që varion nga 15,178 dollarë në 24,673 dollarë, në varësi të paketës. Kompania tha se çmimet për porositë pasuese do jenë më të larta.

Mahindra tha se dërgesat e Scorpio-N-ve të para janë planifikuar të fillojnë më 26 shtator dhe kompania planifikon të prodhojë 20,000 automjete të tjera deri në dhjetor.