Vendosni fjalën kyçe....

Gjermanëve u kërkohet të ulin përdorimin e gazit me 20%


Gjermanët duhet të ulin konsumin e energjisë me të paktën 20% për të shmangur mungesat e gazit këtë dimër, ka thënë Klaus Mueller, kreu i rregullatorit federal të Gjermanisë për rrjetet e gazit dhe energjisë elektrike.

“Konsumatorët duhet të kursejnë të paktën 20%, shumë më tepër se më parë. Ekziston tashmë rreziku i mungesës së gazit në dhjetor ose do të kemi nivele të ulëta të ruajtjes në fund të periudhës së ardhshme të ngrohjes.” – tha shefi i Agjencisë Federale të Rrjetit në një intervistë të publikuar të shtunën.

Mueller tha se Gjermania duhet gjithashtu të ulë eksportet e saj të gazit në vendet fqinje me 20%, dhe të importojë 10 deri në 15 gigavat-orë gaz për të shmangur mungesat.

“Nëse nuk kursejmë shumë dhe nuk marrim gaz shtesë, do të kemi një problem.” – tha Mueller.

Deklaratat e tij vijnë pasi eksportuesi rus i energjisë Gazprom ka ulur furnizimin e gazit në Gjermani përmes gazsjellësit Nord Stream në 20%, duke përmendur çështje teknike dhe një turbinë që në javët e fundit kompania nuk ka qenë në gjendje të marrë nga Kanadaja pas riparimeve për shkak të sanksioneve ndaj Rusisë për sulmin ndaj Ukrainës.

Mueller më herët deklaroi se Rusia mund ta përdorë çështjen me turbinën si një mundësi për të ndërprerë plotësisht furnizimin me gaz në Gjermani, gjë që e bën vendimtare për vendin që të kursejë sa më shumë gaz.

Gjermania muajin e kaluar rriti objektivat e saj të ruajtjes së gazit për vjeshtën e ardhshme në 75% deri më 1 shtator, 85% deri më 1 tetor dhe 95% deri më 1 nëntor. Berlini gjithashtu prezantoi masa të kursimit të energjisë, të cilat u japin përparësi familjeve private në rast të mungesës së furnizimit me gaz.