Vendosni fjalën kyçe....

Fabregas përfundon në Seria B, firmos me Comon


Cesc Fabregas karrierën do ta vazhdojë në kategorinë e dytë të futbollit italian.

Mesfushori spanjoll është prezantuar këtë të hënë te Como.

Klubi nga Serie B bëri të ditur se Fabregas ka nënshkruar kontratë 2-vjeçare.

“Është një nder dhe kënaqësi të bashkohem me Como 1907. Unë kam qenë jashtëzakonisht me fat sepse karriera ime më ka lejuar të luaj në klube fantastike. Como në këtë rast nuk bën përjashtim. Fola gjatë me Mirwan Suwarso, Dennis Wise dhe Charlie Ludi, të cilët më shpjeguan në detaje projektin e tyre, aktualisht një nga më ambiciozët në botën e futbollit”, tha 35-vjeçari për faqen zyrtare të klubit.

“Për këtë arsye jam i interesuar të qëndroj këtu për një kohë të gjatë, jo vetëm në fushë, por edhe jashtë fushës. Unë besova në vizionin e këtij klubi që në fillim dhe vendosa të investoj personalisht për t’u bërë pjesë e tij. Mezi pres të dal në fushë dhe të luaj para tifozëve në një ambient kaq të bukur. Tradita e këtij klubi dhe dëshira e pronarëve për ta çuar këtë klub në një nivel tjetër janë burim frymëzimi dhe për këtë mezi pres të filloj”, shtoi Fabregas.

Cesc Fabregas te Como kaloi si futbollist i lirë, teksa së fundi ai ishte pjesë e Monacos.

Ai në të kaluarën ka luajtur edhe te Chelsea, Barcelona e Arsenali.