Vendosni fjalën kyçe....

Prokurori Doda: KPA më shkarkoi padrejtësisht, trupa e gjykimit ka llogaritur gabim pasurinë


Ish-prokurori në Këshillin e Lartë të Prokurorisë Ludovik Dodaj i cili u shkarkua më datën 14 korrik 2022 nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit i është drejtuar me një letër Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Dodaj i kërkon ONM-së të mbajë opinion kundër vendimit të KPA-së për shkarkimin e tij.

Dodaj e etiketon trupën gjykyese të KPA-së si të paaftë dhe të padrejtë të cilët sipas tij i kanë hequr mundësinë qytetarëve të kenë një sistem drejtësie me njerëz të drejtë.

Trupa e paaftë ose e padrejtë e përbërë nga Sokol COMO, Albana Shtylla dhe Rezarta Schuetz i kanë hequr të drejtën këtij populli të kenë në sistem të drejtësisë njerëz të drejtë që me siguri nuk i jam i vetëm, por jam i pakët në numër. Nuk mund të justifikohen padrejtësi të tilla në emër të reformës pasi është e dështuar reforma nëse sistemit i mungon një subjekt i pastër si unë në emër të shkarkimit të dhjetërave të tjerë. Kjo nuk është luftë por është proces i prezumuar në përputhje me parimet themelore të ligjit dhe të drejtës”-shkruan ai

Fillimisht Ludovik Dodaj u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit por ishte ankimim i Komisionerit Publik Florian Ballhysa që kundërshtoi vendimin i cili më pas në Apel e largoi ish-prokurorin nga detyra.

Komisioneri ngriti pikëpyetje mbi paratë e deklaruara në vitin 2003 të Dodajt prej 2.2 milionë lekësh të mbajtura në shtëpi si para të thata dhe të krijuara me burim nga shitja e një shtëpie në Shkodër në masën 1.9 milionë lekë dhe shitjes së mobiljeve në masën 300 mijë lekë gjithashtu ngriti pikëpyetje nëse subjekti kishte apo jo në dispozicion 45 mijë euro të paguara në vitin 2006 për blerjen e apartamentit në Durrës.

Për këto pretendime të Komisionerit, ish-prokurori Dodaj sqaron në letrën drejtuar ONM-së se pasuria e tij është krijuar nga kursimet gjatë punës së tij dhjetëra vjeçare.

Dodaj në letër fillimisht thotë se Ballhysa ankimoi vendimin e KPK-së pa pasur rekomandimin e ONM-së.

Në gjykimin e shkallës të parë, KPK vendosën unanimisht konfirmimin në detyrë të subjektit tim, ku isha në funksionin e Prokurorit në Prokurorinë e Apelit pranë Gjykatës së Apelit Durrës. Mbi këtë vendim ushtroi ankim Komisioneri publik Florian BALLHYSA, pa patur rekomandimin e institucionit Tuaj dhe për dy vite me radhë jam angazhuar dhe ngarkuar me presionin e ankimit për të vijuar procesin e rivlerësimit kur vendimi i KPK ishte i plotë, pa asnjë oponencë dhe në përputhje të plotë me të vërtetën”-shkruan ai në letër.

Dodaj në letër sqaron në mënyrë të detajuar lidhur me dy pasuritë e tij që u bënë shkas për largimin nga sistemi i drejtësisë

Ish-prokurori thotë se arriti të blinte apartamentin në Durrës pasi shiti banesën në Shkodër në vlerën 19 milionë lekë të vjetra si dhe 3 milionë lekë të vjetra të siguruara nga shtija e mobiljeve.

Ndërsa për pjesën 25 mijë euro që nevojitej për të plotësuar shumën 45 mijë euro të shtëpisë së blerë në Durrës, Dodaj shpjegon se e ka siguruar nga kursimet e tij dhe të bashkëshortes nga puna e tyre.

Në vitin 2003 kisha gjendje cash shumën prej 2.200.000 lek nga shitja e banesës dhe nga shitja e mobiljeve, këtë shumë e deklarova të plotë në deklaratën e parë që plotësuam, të dorëzuar në ILDKPI, shumë të cilën e kam deklaruar si gjëndje cash dhe kam shpjeguar „parat ë siguruara nga shitja e shtëpisë në Shkodër“.

Në vendimin e KPA në ato dy rreshta që kanë shkruar, në të njëjtën linjë arsyetimi edhe nga ankimi i Komisionerit Publik, nuk pranohet ligjshmëria e shumës 25.000 euro, ku së pari kundërshtohet vlera e mobiljeve prej 300.000 lekësh të cilat i kam deklaruar që i kam cash që në 2003 dhe po ashtu nuk njihen kursimet e vitit 2004, 2005 dhe 2006 një pjesë, pasi nuk I kam deklaruar si kursime”-shkruan ai.

Ndërsa për pasurinë tjetër, makinën e blerë në vitin 2013, Dodaj thekson se e ka blerë me kredi të cilat i ka shlyer më pas me kursime nga paga.

Për automjetin që më kanë nxjerrë pamjaftueshmëri për ta blerë, është një automjet i vitit të prodhimit 2010 është blerë në nëntor të viti 2013 në Gjermani, në vlerën 9500 euro dhe këtë automjet e kam blerë me kredi që kisha marrë në reiffeisen Bank në 22 nëntor 2013 pastaj jam nisur me djalin tim për Gjermani për të blerë automjetin. Shuma e kredisë ishte në vlerën 1.008.800 lek e cila është tërhequr nga unë me 22 nëntor 2013. Makina ime që e kam edhe sot është blerë me kredi, plus me shumën nga shitja e automjetit të mëparshëm në vlerën 180.000 lek si dhe pjesa e mbetur nga kursimete mia që kisha brenda vitit”-shkruan Dodaj.

Ish-prokurori e quan në tërësi vendimin anti-kushtetues pasi siç argumenton ai duke përmendur ligjin në Kushtetutë që thotë se bazë për shkarkimin e tij bëhet kur subjekti nuk arrin të justifikojë pasuritë që janë sa dyfishi i pasurisë së ligjshme.

Dodaj thotë se në pasuritë e deklaruara nga ai nuk janë as sa 1/10 e të ardhurave të ligjshme të tij.

“Ky vendim është edhe antikushtetues pasi edhe në Kushtetutë dhe në Ligj thuhet se shkak për shkarkim në lidhje me pasurinë është nëse subjekti nuk arrin të justifikojë pasuritë që janë sa dyfishi I pasurisë së ligjshme. Në këtë rast pasuritë nuk janë as sa 1/10 e të ardhurave të mia të ligjshme dhe me këtë format të deklarimit nuk kanë arritur të krijojnë bindjen këto anëtarë që kanë votuar për shkarkimin tim?!”-shkruan Dodaj.

Dodaj jep edhe dy opsione se pse trupa e gjykimit në KPA të ketë dhënë një vendim për shkarkimin e tij duke theksuar “paaftësinë për të gjykuar të tre anëtarëve” ose mos gjykimin e drejtë për arsye të ndikuara që nuk dihen nga kanë ardhur.

Dy janë opsionet që mund t’i japë shpjegim vendimit të kësaj trupe, gjithmonë sipas mendimit tim:

Tre anëtarët (Como, Shtylla, Schuetz) janë të paaftë për të gjykuar

Tre anëtarët (Como, Shtylla, Schuetz), nuk gjykuan drejtë se kanë qënë të ndikuar nga arsye të cilat nuk kam ide se nga mund t’ju kenë ardhur”-shkruan Dodaj.

Në fund Dodaj kërkon nga përfaqësuesit e ONM-së, përfaqësim në opinionin publik si një formë shpagimi për të, gjithashtu reagim për padrejtësinë e bërë, mbështetje për të përkrahur të tjerët që janë të drejtë dhe për të mos humbur besimin. Ish prokurori thekson se reagimi i ONM-së do ishte ishte një ndihmesë për të si viktimë e reformës në drejtësi.