Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Nuk ka problem kush do jetë partia e parë e opozitës, s’kam konkurrencë me Berishën


Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve e lidhur me hipotezat se ekziston tashmë një konkurrencë mes tij dhe Sali Berishës se kush do të jetë drejtuesi i opozitës shqiptare.

Meta tha se kjo nuk ka rëndësi dhe se nuk ka konkurrencë me Berishën.

“Nuk është ky problemi ynë, se mund të jesh partia e parë e opozitës për 200 vjet por mund të jesh bishti i maxhorancës, pasi je i paaftë të gjenerosh një ndryshim.

Nuk kam unë asnjë konkurrencë me zotin Berisha. Nëse do të ketë një konkurrencë, që ai e pranon, është luftë e përditshme kundër kapjes së shtetit. Ndaj ftoj çdo partner, çdo qytetar dhe gazetar që çdo denoncim që s’e bëjnë dot ta sjellin te Ilir meta dhe ‘Partia e Lirisë’ dhe të jenë të bindur se nuk do ju dalë emri fare si denoncues siç nuk ka dalë deri tani në të gjitha skandalet e qeverisë që kemi publikuar. Kur qeveria ka vendosur të përgjysmojë Shqipërinë, ta shpërdorojë vendin, Partia e Lirisë do ndezi flakën për të gjithë. Standardet e qeverisjes demokratike duken kur respekton opozitën, median e lirë, të vërtetën dhe tregon se ke vënë mirëqenien e popullit në krye.”- u përgjigj Meta.