Vendosni fjalën kyçe....

Në ditën e fundit si president, Meta vlerëson Dritëro Agollin me ‘Dekoratën e Flamurit Kombëtar’


Presidenti Meta ka vlerësuar poetin Dritëro Agolli me ‘Dekoratën e Flamurit Kombëtar’.

Vlerësimi për ish-deputetin e PS-së vjen në ditën e fundit të Metës si president i vendit.

Ditën e nesërme Meta do lërë zyrtarisht detyrën për t’ia dorëzuar atë Bajram Begajt.

“I lumtur të vlerësoja sot me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, poetin e përjetshëm të tokës, atdheut dhe dashurisë, Dritëro Agolli. Me mirënjohje për personalitetin e shquar të letërsisë, kulturës dhe trashëgimisë tonë kombëtare, i cili me veprën e tij të pashembullt poliedrike e shumëdimensionale: letrare, artistike, estetike, filozofike, enciklopedike, akademike, politike dhe shoqërore, mishëroi virtytet më të vyera të shqiptarizmës dhe ngjizi në shpirtin e kombit shqiptar atdhedashurinë dhe patriotizmin, dashurinë për tokën, njeriun dhe gjuhën e bukur shqipe, duke u kthyer në një shërbestar humanist dhe apostull besnik i ëndrrës shekullore të rilindasve tanë. Dritëroi ynë i madh dhe i paharruar dritëron përjetë në çdo varg, libër, mesazh e këshillë të mençur, që na la trashëgim të gjithëve!” – tha Meta.