Vendosni fjalën kyçe....

“Punonjësi i Presidencës i përfshirë në veprimtari të paligjshme”-Blushi: “Fake news”, propagandistik dhe mungesë profesionalizmi


Tedi Blushi, zëdhënësi i Presidentit, Ilir Meta ka reaguar në lidhje me një lajm që qarkullon në disa media se një punonjës i presidencës është përfshirë në veprimtari të paligjshme gjoja sipas një raporti të SHISH.

Blushi ka përgënjeshtruar lajmin që sipas tij është nxjerrë nga një gazetar për të ngritur një tymanajë mbi institucionin e Presidencës.

Sipas zëdhënësit kjo bëhet për qëllime propagandistike dhe që ngjason me revistat e regjimit komunist.

Nuk ka asgjë të vërtetë në përmbajtjen e një “fake news” që prej disa javësh riqarkullohet në media, për gjoja nënkuptimin e përfshirjes së një nëpunësi të Institucionit të Presidentit të Republikës në veprimtari të paligjshme, gjoja sipas një raporti të SHISH, që është veçse një material promovues propagandistik për aktivitetin e tij, ku nuk përmendet kurrkund Presidenca dhe që ngjason me Revistën e Sigurimit të Shtetit “Në shërbim të popullit”.

Sqarojmë opinionin publik se përpjekja e gazetarit E.Q për të ngritur një tymnajë mbi Institucionin e Presidentit të Republikës dhe vijimi i konsumimit të pretendimeve të ngjashme nga portalet më karagjoze në vend dhe më në mbrojtje të aferës së inceneratorëve, dëshmojnë për një mungesë të theksuar profesionalizmi dhe një tendencë bajate dashakeqe për disa klikime më shumë.

Të gjithë shqiptarët e dinë se ku punojnë spiunët dhe tradhëtarët e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar!”-shkruan Blushi.

Zëdhënësi i referohet një lajmi të publikuar pas një raporti të Shërbimit Informativ Shqiptar se një punonjës i administratës kishte shitur informacion për një shërbim të huaj në këmbim të një burse për fëmijën e tij.

Pas raportit i cili i referohej punonjësit me kodin “Çelësi” në media filluan të aludonin se cili ishte institucioni në të cilën punonte punonjësi ku në një ndër lajmet u mendua se ishte në Presidencë.