Presidenti Meta u ka bërë thirrje institucioneve që të reflektojnë pa vonesa ndaj detyrave që kërkohen nga procesi i integrimit në BE.
Kreu i shtetit tha se është në dorën e Shqipërisë që procesi i integrimit të zgjasë 5 vite, 30 të tilla apo më shumë.
Në deklaratën për shtyp nga Presidenca, Meta tha se shqetësimet e vendeve anëtare duhen marrë parasysh dhe se shndërrimi i vendit e plotësimi i kushteve do kërkojë punë.
“E sotmja është një ditë e shkëlqyer, një gur themeli për shqiptarët. Kjo tregon se rajoni jonë vazhdon të gëzojë mbështetjen evropiane. Ky është sinjal i qartë i mbështetjes. E sotmja është një ditë vendimtare për të ardhmen, një ditë kur duhet të ballafaqohemi me realitetin ashtu sic është. E vërteta është se kemi humbur shumë kohë. Kjo na zbulon të gjitha të metat, punët e bëra keq. Shqetësimet e Holandës, vërejtjet e Francës, apo të gjitha shqetësimet e shprehura në rezolutën e fundit të PE, tregojnë se transformimi kërkon punë. U bëj thirrje qytetarëve të mos bien pre e fushatave që duan të minojnë rrugën tonë drejt BE-së. Rruga evropiane është e vetmja që garanton që shtëpia jonë e përbashkët të ketë atë begati, që qytetarët tanë e kërkojnë në Itali, Britani, Gjermani, etj. Iu bëj thirrje institucioneve të reflektojnë pa vonesë ndaj detyrave që kërkohen. Është në dorën tonë që ky proces të zgjasë 5, 30 apo më shumë vite.” – tha Meta.