Vendosni fjalën kyçe....

Popullsia globale do arrijë në 8 miliardë këtë vit – OKB


Popullsia e botës pritet të arrijë shifrën prej tetë miliardë në mes të nëntorit të këtij viti, me Indinë që parashikohet të kalojë Kinën vitin e ardhshëm si vendi më i populluar, kanë thënë Kombet e Bashkuara.

Një raport i OKB-së i publikuar të hënën parashikon se popullsia globale mund të rritet në rreth 8.5 miliardë në 2030, në 9.7 miliardë në 2050 dhe në 10.4 miliardë në 2100.

Sipas OKB-së, popullsia e botës është në rritje pjesërisht për shkak të rënies së vdekshmërisë, me jetëgjatësinë globale që arriti në 72.8 vjet në 2019, që është pothuajse nëntë vjet më e gjatë se në vitin 1990. Në të njëjtën kohë, organizata tha se ritmi i rritjes po ngadalësohet gradualisht.

Raporti i titulluar “Perspektivat e Popullsisë Botërore 2022”, gjithashtu parashikon se popullsia do të rritet në mënyrë të pabarabartë në të gjithë botën, me vetëm tetë vende në zhvillim që përbëjnë më shumë se gjysmën e rritjes së parashikuar. Vendet në fjalë janë Republika Demokratike e Kongos, Egjipti, Etiopia, India, Nigeria, Pakistani, Filipinet dhe Tanzania.

Data e botimit përkoi me Ditën Botërore të Popullsisë. Në mesazhin e tij me këtë rast, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres vlerësoi arritjet e njerëzimit.

Në të njëjtën kohë, ai vuri në dukje se momenti historik prej tetë miliardësh ‘është një kujtesë e përgjegjësisë sonë të përbashkët për t’u kujdesur për planetin tonë’, duke shtuar se pandemia Covid-19, kriza klimatike, luftërat dhe fatkeqësitë humanitare kishin treguar se bota është në rrezik.

Guterres tha se bota është ende e rrënuar nga pabarazia e madhe gjinore dhe sulmet ndaj të drejtave të grave.