Vendosni fjalën kyçe....

“Rruga e Arbrit mbeti ëndërr”- Debati mes Mziut dhe Ballukut: Ëndrrat i keni ju, ne kemi detyrë t’jua bëjmë realitet


Deputeti i PD-së Xhelal Mziu ka kërkuar interepelancë këtë të enjte me ministren e Infrastrukturës Belinda Ballukun, për të kërkuar informacione dhe shpjegime mbi ecurinë e punimeve për Rrugën e Arbrit.

Gjatë fjalës së tij, Mziu akuzoi qeverinë se nuk i është përmbajtur zotimit që ka bërë që në vitin 2013 dhe se kjo rrugë ka mbetur vetëm “një ëndërr”.

“Për Rrugën e Arbrit, u detyruam të kërkojmë interpelancë për shkak të qytetarëve të Dibrës.

Në 2013, Rama tha që është lënë rrugëve dhe e premtoi se do ishte puna e parë që do bënte, pra krahas 300 mijë vendeve të punës e asnjë vend pune nuk krijoi, krahas deklaratës së famshme për të pasur ujë në cdo parcelë e asgjë s’ka bërë deri më sot, tha që ujë do kishte 24 orë, por sot qyteti ka vetëm 30 minuta ujë, deklaroi dhe Rrugën e Arbrit por që nga ajo ditë e sot 19 herë ka pasur deklarata ose të kryeministrit ose ministrave ose për fillimin ose mbarimin e punimeve dhe në fakt rruga ka mbetur rrugëve si thoshte kryeministri i sotëm në atë periudhë.

Kostoja e saj ishte 70 milionë euro me ardhjen e Rilindjes jo vetëm që nuk nisi në mandatin e parë por u deshën vite për ta filluar dhe u bë një shpikje për këtë rrugë do bëheshin 1 miliardë lekë investime që do bëheshin përmes skemës së famshme PPP.

Rruga e parë do ishte rruga e Arbrit ishte absurditet hapi i parë i kësaj qeverie në shpikjen e PPP që s’ka shqiptar që nuk e di që është korruptive.

Kjo rrugë sot e kësaj dite mbetet ëndërr për dibranët, bulqizakët se as gjysma e asaj rruge s’ka mbaruar dhe s’po flasim për efektin financiar që është i jashtëzakonshëm krahasuar me atë që do merret nëse ajo rrugë do mbarojë ndonjëherë.”- tha Mziu.

Por ministrja Balluku iu përgjigj deputetit se asgjë nuk ka mbetur ëndërr dhe se kjo rrugë u ndryshoi jetën qytetarëve të Dibrës.

“Unë kohët e fundit jetën politike e zhvilloj në qarkun e Dibrës, dhe ajo që shoh dhe marr nga njerëzit janë se këto punë të bëra në Rrugën e Arbrit ka ndryshuar jetën e qytetarëve. Të vish në foltore dhe të thuash se rrugët kanë mbetur rrugëve nga ata që i lanë rrugëve, ky është një abuzim shumë i madh.

Tani zotëria e di që kur vinte në fushatë, vinte dhe kthehej brenda ditës. Sot bujqësia në atë zonë ka lulëzuar edhe për shkak të infrastrukturës, flet për ëndrra dhe thotë Rruga e Arbrit mbeti ëndërr. Jo asgjë nuk mbeti ëndërr në qeverinë Rama. Ëndrrat i keni ju ne kemi detyrë t’jua bëjmë ëndrrat realitet sepse ju konsiderojmë si qytetarë të republikës së Shqipërisë.”- tha Balluku.