Vendosni fjalën kyçe....

Kulisat brenda PS-së/ Veliaj shpall kandidaturën për Tiranën pa “lejen” e Ramës


Me Erion Veliajn ka ndodhur një transformim që syri i publikut të zakonshëm ndoshta nuk e vë re, por njohësit e politikës brenda rilindes e shohin si një kapërcim të madh: për herë të parë ai ka guxuar ta shpallë vetë kandidaturën për një mandat të tretë në krye të bashkisë të Tiranës, pa i lejuar si radhët e tjera, Edi Ramës, privilegjin e një dhurate të tillë politike.

Nëse në 2015 dhe në 2019 kryebashkiaku aktual kapte këdo për xhakete dhe lobonte pranë çdo faktori të afërt me shefin e qeverisë dhe të PS, për të siguruar kandidimin, ai këtë herë ndihet i vetësigurtë.

I pyetur këtë të martë, në një intervistë në News 24, televizionin që shpesh i bën opozitë Ramës, por gjithmonë servis kryebashkiakut, ai ka thënë shkurt dhe prerë: “Po, do të jem kandidat”.  Në këtë pohim çudia nuk qëndron në shpalljen e pothuajse një vit para garës të kandidaturës, por në faktin se Erioni e bëri atë vetë, pa pritur miratinim formal të strukturave të PS-së dhe atë real të shefit të saj.

Pikërisht ky hap i guximshëm ka ngjallur habi mes rilindasve dhe ka forcuar hipotezën se rolet në raportet e dyshes kryeministër – kryebashkiak, kanë ndryshuar. “Që pas zgjedhjeve të 25 prillit, “Lali” është shumë më i fortë se më parë. Ai është i vetmi nga figurat e partisë që ka deputetë ushtarë që mund ti binden atij para Ramës, që ka shtrirë influencën në të gjitha hallkat e drejtësisë së re, që konrollon pjesën më të madhe të biznesit më fitimprurës, atij të ndërtimit dhe që ka peshën më të madhe pas Ramës në botën mediatike. Asnjë hierark tjetër në PS, nuk ka as grupime financiare, as gjykatës e prokurorë, as gazetarë të vetët si ai”, tha për Lapsi.al një burim i mirimformuar brenda PS, të cilin Rama e ka lënë pak mënjëanë kohët e fundit. “Shikoni ç’ndodhi me Fatmir Xhafën, Rama donte ta eleminonte dhe makineria politiko-financiare e bashkisë e bëri të thyejë listën e Tiranës duke e rizgjedhur deputet”, vazhdoi ai në kushtet e anonimatit.

Për një tjetër ish-deputet socialist që Veliaj e ka shmangur nga dega e Tiranës, historia është pak më ndryshe. “Ka pasur një keqkuptim të madh që krijonte idenë se Rama nuk e do delfinin e tij. Ai është ngjizur nga disa incidente publike, kur kryeministri e tallte në sy të njerëzve duke i thënë të lyente murret e një ndërtese në 4 të mëngjezit apo ti sillte lopën një fshatari.

Por këto janë thjeshtë episode për ta denigruar Veliajn që është në kapriço sadiste që Rama e përdor me shumëkënd. Por përkundrejt kësaj ai nuk ka dashur të ndahet kurrë nga Veliaj. Po ju bëj një pyetje: A mund të distancohesh nga dikush kur mikun e tij më të ngushtë e mban në paradhomën tënde dhe në çdo takim konfidencial? E pra, Rama nuk ndahet kurrë nga shoku më i afërt i Veliajt, Endri Fuga, dhe kjo tregon gjithçka”, tha ai për Lapsi.al.

Një burim i tretë, pak më konspiracionist, që ka shërbyer si kryebashkiak i PS-së e sheh gjithçka të lidhur me teoritë më në modë të momentit, që e shpjegojnë gjithçka me komplotet e Sorosit. “Jam i sigurtë që Edi nuk e do, edhe familjarët e tij më të ngushtë dhe miqtë e tij mediatikë e përbuzin Erionin, por ata s’kanë ç’i bëjnë, duhet ta marrin me të mirë duke e kontrolluar, pasi ai është i vetmi nga ne që ka lidhje direkte me Aleks Sorosin. Edhe për ti dhënë goditjen e fundit Berishës ai ka pasur rolin e tij”, tha ai versionin e vet për Lapsi.al.

Pavarësisht se cili nga këto tre versione, qoftë ai se kryebashkiaku është bërë aq i fortë sa Rama s’ka çfarë ti bëjë më, qoftë ai se ata janë në lojë dhe në grup me njëri tjetrin, qoftë dhe tjetri se ka një lobim ndërkombëtar që e mban Veliajn si obsion rezervë, një gjë i bashkon të gjitha hipotezat së bashku: kryebashkiak i Tiranës ka marrë një peshë pushteti që shefi i tij nuk ka ëndërruar ti’a japë as nuk ia ka dhënë askujt tjetër.

Natyrisht falë potencialit të madh politik dhe financiar që ka kryeqyteti, ai ka dëshmuar që di ta bëjë më mirë se kushdo rolin e qenit besnik të kryeministrit. Ai hidhet i pari në zjarr edhe në beteja që i ka fituar, si ajo e blerjes masive të aktorëve dhe e përçarjes së protestës për mbrojtjen e teatrit edhe në ato që i ka humbur në mënyrë amatore, si tentativa për ti rrëmbyer Afrmando Dukës FSHF-në.

Por ama në të gjitha këto raste ai ka treguar se di ti ofrojë Ramës një servis që nuk ia bën askush tjetër. “Eshtë ky rol prej lakeu suprem që e bën atë të pazëvendësueshëm. Prandaj kur ai ka probleme me Belinda Ballukun, Rama e detyron këtë të fundit të pozojë me Veliajn, para se ta dëbojë nga Tirana dhe ti japë qarkun e Dibrës. Prandaj ai e detyron Damianin ti nënshtrohet. Prandaj kur Taulant Balla mërzitet që e spostuan nga Elbasani në Fier, lëvizjen e parë që bën është afrimi me Veliajn. Deri më tani vetëm Arbën Ahmetaj nuk e ka ulur kokën para tij, pasi ai është i ndërgjegjshëm që kontrollon një pushtet financiar të përafërt me atë të Erionit, natyrisht për llogari të Ramës”, komenton burimi i parë i Lapsi.al.  

Ky transformim në imazhin e Erion Veliajt, nga ai i shërbëtorit besnik që nuk vepron pa lejen e shefit, tek ai i një njeriu që guxon të bëjë edhe veprime me kokë të tij, u pa direkt pas zgjedhjeve të 25 prillit, në të cilat ndonëse Rama nuk i la hapsirë për të zgjedhur asnjë ministër nga grupi i vet, ai u përforcua me mbi pesë deputetë personalë.

Nga ajo kohë Veliaj u bë i vetmi që filloi të fliste se si e shikonte punën e qeverisë së ardhshme dhe se si duhet të ishin raportet e PS, kundrejt SPAK dhe drjtësisë së re. Ai fitoi gjithashtu një kontroll më të madh mbi lejet e ndërtimit në Tiranë, duke përjashtuar këtu ato të kullave të qendrës, që i negocion dhe vendos vetë kryeministri.

Kjo u pa edhe tani së fundi, kur për herë të parë, Erion Veliaj guxoi të flasë para Ramës se ai e do për herë të tretë bashkinë. Mjafton ky fakt për të treguar se raporti i forcave mes tyre ka ndryshuar. Edhe nëse ai e ka bërë këtë deklaratë të rallë me lejen e Ramës, kjo tregon se ky i fundit nuk ushtron dot më mbi të fuqinë sadiste për ti torturuar vartësit deri në minutat e fundit. Aq më tepër, nëse Veliaj e ka bërë një deklaratë të tillë pa leje, kjo është shenë e qartë se tani është Rama ai që trembet të hapë konfikt me të.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Lapsi.al