Vendosni fjalën kyçe....

Zjarret në malet e Krujës, Kasmi: As Sulltan Murati nuk i bëri Krujës dëmin që po i bën Rama


Një sipërfaqe e madhe me pyje e shkurre është përfshirë nga flakët në Krastën e Krujës.

Lidhur me këtë ka dalë në një deklaratë nga selia blu anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së Bledi Kasmi, i cili tha se shkaktarët janë oligarkët që zotërojnë guroret, por edhe grupet kriminale që kultivojnë kanabis në malësinë e Krujës.

DEKLARATA E KASMIT

Në fushatën elektorale të 2013 Edi Rama bënte sikur i qante zemra për Krujën.

Bënte bé e rrufe për masivin pyjor të Krastës, për fabrikat e çimentos, ndotjen mjedisore etj.

Nuk ka nevojë të shkosh në Krujë për ta dëshmuar masakrën që i është bërë rrethinave të kësaj zone.

Unë sapo kthehem nga Kruja dhe jam dëshmitar i të paktën dy zjarreve që kanë përfshirë masivin pyjor të Krastës.

Edhe sipas njoftimit të Policisë janë të qëllimshëm.

Eshtë e njëta dorë që qeverisë kanabisin, inertet, guroret dhe gjithçka tjetër në mënyrë korruptivo-kriminale në Krujë.

Partia Demokratike denoncon dorën e zgjatur të aferave korruptive shtetërore, që i vunë flakën pyjeve të Krujës.

Qëllimi është vetëm një: shfrytëzimi i masivit shkëmbor të zonës i pasur me gurë gëlqerorë, materiale që do të shkojnë në ndërtimet korruptive, koncesione korruptive dhe babëzinë e pafundme të Rilindjes.

Pavarësisht se kush janë dorasët, Partia Demokratike e dallon logjikën e  porositësve.

Janë të njëjtët që e kanë kriminalizuar ekonominë e Krujës, qytetit me famë të shqiptarisë, kryeqytetit të arbërve të Gjergj Kastriotit.

Meqë jemi te Skënderbeu, atë që i ka bërë Edi Rama Krujës, nuk ia kanë bërë as hordhitë e sulltan Muratit.

I bëjmë thirrje organeve kompetente të punojnë për zbardhjen e ngjarjës dhe gjetjen, jo vetëm të autorëve, por edhe të porositësve.

Kur Kruja është në rrezik, Shqipëria është në rrezik!