Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi i përgjigjet “rrufe” Veliajt: Sqaro firmën tënde që ndryshoi fatin e një koncesioni të paligjshëm, shihemi në SPAK


I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi lidhur me deklaratat e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj sa i takon çështjes së inceneratorëve.

Në një deklaratë për mediet, zonja Kryemadhi tha se Veliaj duhet të sqarojë firmën e tij dhe të tregojë se ku janë 128 milionë eurot për inceneratorin e Tiranës.

“Meqenëse për të informuar opinionin publik është detyrë qytetare, në kuadrin e përdorimit të uzurpimit dhe të mashtrimit në mënyrë sistematike nga sekti i Rilindjes që ka kapur ekonominë shqiptare, politikën shqiptare dhe jetën e përditshme të qytetarëve jam e detyruar të sqaroj mjaftistin e fundit z. Erion Veliaj meqenëse kishte problem shumë të madh çështjen e rindërtimit, çështjen e pastrimit të Tiranës, çështjen e ndërtimit të pallateve e gradaçelave që shqyejnë jo vetëm qiellin por dhe nëntokën e Tiranës, çështjen e mjedisit të Tiranës, çështjen e shkollave të Tiranës, kishte problem shumë të madh se sa shumë punëtor i madh ishte ai që I prish dhe I rindërton rrugët e Tiranës për të grabitur.

Meqenëse është i shqetësuar për çështjen e inceneratorëve, po i them përsëri z.Veliaj  të sqarojë firmën e tij këtu dhe me vulë në emër të këshillit bashkiak të Tiranës që ka marrë një angazhim 30-vjeçar të paligjshëm për të paguar një koncension të paligjshëm.

Ky orator i madh i cili me urdhër nga Holanda doli sot për të folur, të sqarojë dhe këtë tabelë. Angazhimi 30-vjeçar i bashkisë së Tiranës por edhe të ministrisë së Financave dhe të angazhimit buxhetor që merr qeveria shqiptare për të paguar inceneratorin e Tiranës. Gjëja e parë që duhet të bëjë është të përgjigjet për firmën e tij që ka ndryshuar fatin e një koncesioni të paligjshëm dhe ka ngarkuar me një barrë 30-vjeçare jo vetëm qytetarët e Tiranës, por të të gjithë Shqipërisë.

Të na shpjegojë ku janë 128 mln euro të investimit të kompanive të inceneratorit të Tiranës, për të cilën dhe ata i kërkuan Erion Veliaj me vrap të dalë të shpjegojë. A janë këtu 128 mln euro investim? Në mendimin tim jo, por është SPAK ai i cili është në provë për të verifikuar a janë aty 128 mln euro investim të kompanisë of-shore në Holandë. që ia kanë kontraktuar Klodian Zotos i cili ishte përfaqësuesi zyrtar i kompanisë dhe që do investonin 128 milionë Euro.”– deklaroi Kryemadhi.

Më tej, kryetarja e LSI-së shtoi se për të gjitha akuzat që ka bërë paditë janë në SPAK dhe e fton Veliajn të shihen në SPAK.

“Prandaj i them edhe një herë oratorit mjaftist, iku koha kur me letra higjienike zbulurojë pemët e bulevardit përpara Gjykatës së lartë por që të përgjigjet dhe t’i kthejë shtëpitë banorëve të kombinatit që i prishe në mënyrë të paligjshme. Takohemi në SPAK. Të gjitha akuzat dhe paditë e mia janë në SPAK. Me deklarata, me fatura të vërteta, me firmën e Veliajt në 27 mars të 2017-ës, me vulën e protokollit të bashkisë së Tiranës. Kaq për sot. Shihemi përsëri!”– Kryemadhi.