Vendosni fjalën kyçe....

Dy viktima pas të shtënave pranë një klubi LGBT në kryeqytetin norvegjez


Një i dyshuar është arrestuar nga policia në Oslo, Norvegji,pas një sulmi me armë në të cilën u vranë të paktën dy persona dhe më shumë se një duzinë u plagosën.

Shpërthimi i të shtënave filloi rreth orës 1:00 të mëngjesit me kohën lokale të së shtunës pranë disa bareve dhe klubeve të natës në kryeqytetin norvegjez, me personin e armatosur që thuhet se ndaloi në tre vende për të qëlluar kalimtarët.

Departamenti i policisë së qytetit konfirmoi se dy persona u vranë dhe tre u plagosën rëndë, ndërsa media sugjeroi se të paktën 12 të tjerë pësuan lëndime të lehta.

Zyrtari i policisë Tore Barstad sqaroi më vonë se, deri më tani, të gjitha provat ‘tregojnë se ka qenë vetëm një person që ka kryer këtë sulm’, pas raportimeve se disa persona mund të ishin përfshirë në të shtënat.

Megjithëse motivet e sulmuesit mbeten të paqarta, sulmi u shpalos pranë një klubi LGBT në Oslo vetëm disa orë përpara një marshimi të madh vjetor të grupeve LGBT, duke nxitur spekulimet e mediave për një lidhje të mundshme. Autoritetet ende nuk e identifikojnë autorin.

Sipas gazetarit Olav Roenneberg, i cili punon për transmetuesin publik NRK dhe ishte i pranishëm kur filluan të shtënat, i armatosuri mbërriti ‘me një çantë’ në dorë përpara se të merrte një armë dhe të qëllonte mbi argëtuesit.