Vendosni fjalën kyçe....

Rusia bëhet furnizuesi kryesor i naftës në Kinë


Rusia është bërë furnizuesi kryesor i Kinës me naftë në muajin maj, me eksportet që u rritën me 55% nga viti i kaluar. Kështu raportoi Reuters këtë të hënë, duke cituar të dhënat e publikuara nga Administrata e Përgjithshme Kineze e Doganave.

Sipas raportit, importet e naftës ruse në Kinë muajin e kaluar arritën në afro 8.42 milionë ton, ose 1.98 milionë fuçi në ditë, duke përfshirë vëllimet e pompuara përmes tubacionit të Oqeanit Paqësor të Siberisë Lindore (ESPO) dhe dërgesat nga portet evropiane dhe të Lindjes së Largët të Rusisë. Rritja prej 25% nga prilli i mundësoi Rusisë të kalojë Arabinë Saudite për t’u bërë furnizuesi më i madh i naftës në Kinë.

Siç shkruan RT, Kina i uli importet e saj të naftës saudite në 7.82 milionë ton, ose 1.84 milionë fuçi në ditë, nga 2.17 milionë fuçi në ditë që kishte në prill. Furnizimet nga Brazili ranë me 19%, duke arritur në 2.2 milionë tonë. Pavarësisht rënies së vazhdueshme të kërkesës lidhur me Covid-19, importet e përgjithshme të naftës në Kinë u rritën me gati 12% në maj nga viti në vit në 10.8 milionë fuçi në ditë.

Rritja e blerjes së naftës ruse nga Kina vjen pasi Moska prezantoi zbritje të mëdha në naftën e saj të papërpunuar në fillim të këtij viti, kur blerësit tradicionalë të Rusisë filluan të refuzojnë eksportet për shkak të sanksioneve të lidhura me Ukrainën.

Që nga fundi i shkurtit, SHBA, BE dhe aleatët e tyre kanë vendosur masa kufizuese për furnizimin me energji ruse. Në fillim të qershorit, BE miratoi një paketë sanksionesh që ndalonte blerjen e naftës nga Rusia dhe ndaloi “sigurimin dhe risigurimin e transportit detar të mallrave të tilla (naftë dhe produkte nafte) drejt vendeve të treta“.

Megjithatë, zbritjet e ofruara nga Moska tërhoqën Kinën dhe Indinë, të cilat rritën blerjet gjatë dy muajve të fundit.