Vendosni fjalën kyçe....

Konfindustria: Kompanitë e karburantit të përjashtohen nga vendimmarrja në Bordin e Transparencës


Konfindustria i ka kërkuar qeverisë të ndryshojë përbërjen e Bordit të Transparencës duke përjashtuar përfaqësuesit e kompanive të karburantit si anëtarë me të drejtë vote në vendimet që merren për çmimin.

Në një reagim zyrtar Konfindustria thekson se është e paarsyeshme që vendimet për çmimin e karburantit të përcaktohen nga subjektet që në fakt duhet të jenë objekt vëzhgimi për spekulime në treg.

Njëkohësisht Konfindustria thotë se duhet krijuar Enti Rregullator i Karburanteve si institucion profesional, i përhershëm në varësi të Kuvendit.

“Konfindustria kërkon, që qeveria të ndryshojë përbërjen e Bordit të Trasparencës, duke përjashtuar përfaqësuesit e operatorëve të karburanteve si anëtarë me të drejtë vote në vendimmarrje. Është e papranueshme dhe tërësisht e paarsyeshme, që vendimmarrjet të përcaktohen pikërisht edhe nga subjektet, që duhet të jenë objekt vëzhgimi për spekulime të mundshme në treg dhe për të cilët përligjet qëllimi i krijimit të vetë Bordit të Transparencës. Konfindustria vlerëson, se është domosdoshmëri krijimi i Entit Rregullator të Karburanteve si institucion profesional, i përhershëm dhe në varësi të Kuvendit të Shqipërisë sipas shembujt të ngjashëm të Maqedonisë së Veriut.” – thuhet në reagim.

Më tej Konfindustria deklaron se përbërja e deritanishme e Bordit krijo hapësira për interpretim të pasaktë, subjektivizëm e korrupsion.

Sipas saj, përfituesit e vetëm të rritjes së çmimit të karburantit janë qeveria dhe kompanitë e karburanteve në vend. Po kështu Konfindustria shkruan se ka dyshime të arsyeshme për kontrabandë e evazion fiskal në vlerë qindra milionë euro në vit.

“Konfindustria vlerëson, se përbërja e deritashme, burimet e njëanshme të të dhënave dhe mungesa e anëtarëve të pavarur dhe profesionistë, krijojnë hapësira të mëdha për interpretim të pasaktë, subjektivizëm dhe korrupsion të tipit “state capture/kapje e shtetit” në vendimmarrjet e Bordit të Transparencës. Roli i deritashëm i tij ka qenë vetëm veprimi si “mburojë shtetërore” ndaj spekulimeve antitreg të operatorëve në dëm të interesit publik, biznesit dhe qytetarëve. Konfindustria vlerëson, se përfituesit e vetëm të mënyrës së deritashme të punës së Bordit të Transparencës janë :-rritja e sforcuar e të ardhurave për Buxhetin e Shtetit, që për periudhën 5 mujore ka rritur të ardhurat me afër 350 milion euro më shumë nga plani si dhe – kompanitë e karburanteve. Dyshime të arsyeshme ka edhe për fshehje fiskale dhe kontrabandë në vlerë qindra milionë euro/vit në tregun e karburanteve. Të dy palët e mësipërme në mënyrë absurde dhe përtej çdo modeli të janë palët përbërëse të Bordit të Transparencës.” – vijon deklarata.

Në fund Konfindustria thekson se rritja e çmimit ë më shumë se 2.2 euro për litër është ndër më të lartët në Europë dhe se çmimet e reja thellojnë dallimet me vendet e rajonit e kanë pasoja shkatërruese për ekonominë. Ajo i bën thirrje qeverisë që të ulë barrën fiskale që do çojë në uljen e çmimit të karburantit.

“Konfindustria shpreh shqetësimin e saj për rritjen në nivel të ri rekord të çmimit të karburantit në mbi 2.2 euro/litër me vendim të Bordit të Transparencës nga më të lartët në Europë. Çmimet e reja thellojnë edhe më shumë diferencën me vendet e Rajonit, me pasoja shkatërruese për ekonominë kombëtare, biznesin dhe qytetarët. Konfindustria kërkon edhe njëherë ndërhyrjen e menjëhershme të qeverisë për lehtësimin e ngarkesës fiskale me qëllim uljen e çmimit të karburanteve.” – mbyllet reagimi.