Ambasadori i Gjermanisë Zingraf e ambasadorja e Francës Barsacq kanë vizituar sot Autoritetin për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit.
Ata u shoqëruan në këtë vizitë nga kryetarja e Komisionit të Ligjeve, deputetja e PS-së, Bushka. Vizita vjen pak ditë para përurimit të mjedieve të reja të këtij institucioni.
Gjatë vizitës ata janë pritur e shoqëruar nga kryetarja e Autoritetit Gentiana Sula e nga punonjës të tjerë të institucionit të cilët i kanë informuar ambasadorët mbi punën e bërë, problematikat e bashkëpunimin me institucionet e tjera shtetërore në kuadër të punës së Autoritetit.
Ambasadorët nga ana e tyre shprehën rëndësinë e një institucioni të tillë, mundësinë që duhert t’u jepet familjeve që të përballen me të shkuarën.
“Mbështetje për veprimtarinë e Autoritetit në zbardhjen e së shkuarës komuniste
Tiranë 16 qershor 2022 – Ambasadori i Gjermanisë, z. Peter Zingraf, ambasadorja e Francës në Shqipëri, znj. Elisabeth Barsacq dhe kryetarja e Komisionit të ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, znj. Klotilda Bushka, vizituan Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, pak ditë para ceremonisë zyrtare të përurimit të mjediseve të reja të institucionit.
Ambasadorët u pritën nga anëtarët e Autoritetit, të cilët i njohën me punën e institucionit, sfidat e tashme e të ardhme, dhe me hapësirat e reja ku zhvillon veprimtarinë Autoriteti.
Gjatë vizitës, znj. Gentiana Sula i njohu përfaqësuesit diplomatikë me punën e bërë që në themelimin e institucionit, vendimi i parë për të cilin ishte caktimi i ndërtesës së Autoritetit. Për vite me radhë u punua për rikonstruksionin sipas standardeve bashkëkohore të ruajtjes dhe sigurisë, me mbështetjen e ambasadës suedeze në Shqipëri.
Ambasadorët vizituan arkivin e dokumenteve të Sigurimit dhe u informuan për proceset e punës, mënyrën e ruajtjes, tipologjinë e dosjeve, etj.
Diskutimet mbi synimet e Autoritetit dhe punën në të ardhmen vijuan në sallën e mbledhjeve.
Znj. Gentiana Sula bëri një paraqitje të punës së institucionit gjatë mandatit të parë, sa i takon informimit të qytetarëve, studiuesve dhe mediave mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, si dhe strukturës së posaçme për të zhdukurit në komunizëm, të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë.
Z. Gjergj Marku falënderoi ambasadorët për mbështetjen ndaj Autoritetit dhe renditi problematika në trajtimin e së shkuarës, sa i takon përdorimit të burimeve në kurrikulat shkollore, ruajtjes së vendeve të dënimit e ndëshkimit në mbarë vendin nga institucionet vendore e qendrore, rolit të mediave, që e shkuara të mos përsëritet.
Z. Skënder Vrioni solli në vëmendje punën e bërë nga institucioni në bashkëpunim me partnerë, organizata dhe shoqata, mbi kampin e Tepelenës, atë të Maliqit, si dhe të zhdukurit. Ai e vuri theksin te vijimësia e projekteve të nisura, sa i takon vendeve të kujtesës, kërkimit shkencor dhe të zhdukurve në komunizëm.
Ambasadorja Barsacq nënvizoi rëndësinë e institucioneve të tilla, dhe mundësinë që duhet t’i jepet çdo familjeje e çdo individi që të përballet me të shkuarën. Kujdesi për të gjitha rastet, të trajtuara sipas standardeve, është i rëndësishëm për shoqërinë e sotme shqiptare dhe atë të së nesërmes.
Ambasadori Zingraf, nga ana e vet përsëriti mbështetjen për Autoritetin, duke marrë shembull rastin e Gjermanisë, sa i takon politikave për ballafaqimin me të shkuarën. Për këtë është e nevojshme që të gjitha institucionet e përfshira të koordinohen dhe bashkëveprojnë.
Vullneti politik, qasja e institucioneve, organizatave dhe shoqërisë, ndërveprimi mes tyre, po ashtu aksesi i qytetarëve, studiuesve dhe mediave në informim, është e rëndësishme të reflektohet edhe në synimet e trupës së re drejtuese, e cila ka përgjegjësinë e trajtimit të së shkuarës me profesionalizëm, integritet dhe duke vënë qytetarin në qendër.
Për Autoritetin, sfidat e mandatit të dytë kanë të bëjnë me kthimin e tij në institucion kujtese, që përveçse zbërthen makinerinë e shtypjes, sjell edhe zërin e qëndrimin e viktimës, duke krijuar kuadrin e plotë historik të diktaturës.
Njëherësh, një qendër e vizitueshme, me mundësi leximi e njohjeje me dokumentacionin, po ashtu, një instrument që ndihmon për zbërthimin e së shkuarës dhe hetimin e fatit të viktimave të pagjetura.
Gentiana Sula Faqja Zyrtare Gentiana Mara Sula @Elisabeth Barsaqc Peter Zingraff Klotilda Bushka Ferhati @Altin Hoxha @Gjergj Marku @Skender Vrioni Ardita Repishti Selami Zalli @Denis Shkalla Reald Keta Kristal Shytani Anton Dukagjini Irma Caushi Bataj.” – thuhet në shënimin e Autoritetit në faqen në Facebook.