Vendosni fjalën kyçe....

Dashnor Sula paraqitet në Kuvend me një shportë ushqimesh dhe një listë çmimesh: Katastrofike, çmimet të përballueshme vetëm nga ministrat e deputetët, jo qytetarët e thjeshtë


Deputeti i PD-së Dashnor Sula është shfaqur sot në Kuvend me një shportë ushqimesh.

Para se të futej brenda, Sula ndaloi për të folur me gazetarët. Ai tregoi dhe një listë të çmimeve të produkteve ushqimore që ai kishte blerë dhe tha se edhe pse ka kërkuar produktet më të lira, i kanë kushtuar 30 mijë lekë të vjetra.

Sipas Sulës, çmimet e produkteve të shportës janë jashtëzakonisht të larta dhe të përballueshme vetëm nga ministrat e deputetët, por jo nga qytetarët e thjeshtë.

“Produktet e shportës shkojnë 30 mijë lekë. Po të bësh një llogari të thjeshtë, duhen 500 ose 600 mijë lekë për tu ushqyer e për të mbushur barkun.

Nuk bëhet fjalë për mish apo për fruta, çmimet janë të larta. Unë kam ardhur këtu sot në shenjë proteste, se kur hyjmë këtu përballemi me gardën e familjarë që kanë paga të ulëta e nuk i përballojnë. I përballojnë deputetët, ministrat po, por jo qytetarët e thjeshtë. Unë gjej rastin që në emër të qeverisë, t’i japë familjeve asistencë, se nuk mund të bëjë asgjë me 40 mijë lekë në muaj.

Thirrje qeverisë, kryeministrit Rama t’i indeksojë çmimet. Kjo është situata katastrofike. Edhe protesta e djeshme është legjitime. Të gjithë kemi detyrën që të bëjmë aq sa kemi në dorë. Kaq kam mundësi, të ngre zërin, por të gjithë qytetarët duhet t’i bëjnë presion kësaj qeverie. I ka mundësitë reale qeveria të bëjë indeksimin e çmimeve. Kemi rastin e Maqedonisë së Veriut, e cila e ka zeruar TVSH-në për produktet e shportës. Ulet me 14% çmimi i produkteve të shportës që do të thotë se iu ngelen më shumë para në xhep qytetarëve.”-deklaroi Sula.

Ai shtoi se qeveria mban përgjegjësinë kryesore: “Opozita ka përgjegjësinë e saj por unë jam I bindur se përgjegjësinë kryesore të madhe e ka qeveria në radhë të parë se s’mund t’i kërkosh llogari opozitës dhe qytetarëve të cilët kanë protestuar.”

I pyetur nëse do të merrte pjesë në protestat e paralajmëruar nga ish-kryeministri Sali Berisha ai pohoi: “Padiskutim, unë i bashkohem çdo lloj proteste. Kam për të dalë në proteta.”