Vendosni fjalën kyçe....

Orban letër Berishës: Të mbrojmë vlerat e përbashkëta kristiano-konservatore


Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban i ka dërguar një letër kryetarit të PD-së dhe ish-Kryeministrit e ish-Presidentit shqiptar, Sali Berisha.

Orban i drejtohet Berishës me fjalët “i dashur Z.President” dhe e falenderon atë për urimet që ky i fundit i ka bërë atij pas fitores së pestë radhazi në zgjedhjet parlamentare në Hungari.

Në letrën që mban datën 5 Maj por të zbuluar vetëm sot nga selia blu, Orban e siguron Berishën se “do të mbetemi të angazhuar të mbrojmë vlerat tona të përbashkëta kristiano-konservatore dhe të zhvillojmë gjithashtu marrëdhëniet shqiptaro-hungareze në të ardhmen.”

Ai ka kujtuar dhe një takim të tyre në vitin 2014 si dhe i ka uruar Berishës suksese në detyrat e tij.

LETRA E VIKTOR ORBANIT

I dashur Zoti President,

Dëshiroj t’ju shpreh mirënjohjen time për urimet tuaja pas fitores sonë në zgjedhjet parlamentare në Hungari.

Jam krenar që qytetarët hungarezë kanë shprehur besimin e tyre në një qeverisje të pavarur bazuar mbi vlera kombëtare dhe na kanë nderuar me besimin e tyre për të pestën herë tashmë. Besoj që ky mandat i fortë nuk është vetëm një garanci për stabilitetin politik dhe zhvillimin ekonomik të Hungarisë, por është gjithashtu një qëndrim kurajoz për paqen dhe sigurinë e vendit tonë.

Ishte një nder t’ju prisnim në Budapest në vitin 2014 dhe të shkëmbenim pikëpamje mbi çështje që përcaktuan fatin e vendeve tona. E vlerësoj vërtetë miqësinë e hapur dhe të sinqertë që ju keni treguar kundrejt Hungarisë dhe popullit hungarez prej shumë vitesh tashmë. Ju siguroj që do të mbetemi të angazhuar të mbrojmë vlerat tona të përbashkëta kristiano-konservatore dhe të zhvillojmë gjithashtu marrëdhëniet shqiptaro-hungareze në të ardhmen.

Ju uroj shëndet dhe shumë sukses në detyrat tuaja me përgjegjësi të larta.

I juaji me sinqeritet,

Viktor Orban