Vendosni fjalën kyçe....

Transportonin drogë nga Shqipëria e Bullgaria në Maltë, arrestohet maltezi i lidhur me mafien italiane e shqiptarin “Niku”


Një trafikant maltez i dyshuar droge, i lidhur me klanet siciliane, u arrestua të premten në Maltë me një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga prokurori i Katanias me një kërkesë për ekstradim.

Gjatë seancës së parë, e cila u mbajt dje, gjyqtarët refuzuan kërkesën për lirim me kusht dhe shtynë gjykimin për në datën 20 qershor për të vendosur për ekstradimin.

56-vjeçari John Spiteri, i njohur si ‘Gianni’, kërkohet në Itali për një organizatë kriminale të stilit mafioz për trafik kokaine dhe marihuanë.

Në vitin 2021, trafikanti maltez i dyshuar ishte pjesë e grupit prej 21 personash që u arrestuan në Itali si pjesë e të ashtuquajturit ‘Operacioni La Vallette’ kundër një organizate kriminale që lëvizte drogën nga Shqipëria dhe Bullgaria në Siçili dhe Maltë, raporton media italiane.

Gjatë operacionit, i cili në atë kohë u krye nga mbi njëqind agjentë të Guardia di Finanza, u sekuestruan gjithsej 430 kilogramë kanabis, hashash dhe kokainë. Sipas hetuesve italianë, raporton MaltaToday, nga përgjimet rezulton se Spiteri ishte lidhur me italianin Rosario Amico për të organizuar dërgesa droge nga Pulia në Maltë të kryera midis viteve 2018 dhe 2019 me një makinë me targa malteze që drejtohej fizikisht nga një tjetër maltez, partner i Spiterit, 55-vjeçar, Fabian Catania, tashmë i paditur për trafik droge në vitin 2018 dhe nga shqiptari Eriseld Hoxhaj, i njohur si ‘Riku’.

Për të shmangur ekstradimin, avokati i Spiterit vuri në dukje se krimet e tij në Maltë çojnë në burgim të përjetshëm, ndërsa në Itali rrezikonte vetëm 24 vjet për komplot dhe 13 vjet për trafik droge.