Vendosni fjalën kyçe....

Peleshi: Vatrat më të rrezikshme në Sazan janë izoluar, duhet vullnetarizëm e jo t’i ndezim zjarret edhe më shumë nga tastiera


Ministri i Mbrojtjes Peleshi ka njoftuar në orët e vona të natës së mbrëmshme se disa nga vatrat më të rrezikshme të zjarrit në Sazan duket se janë izoluar.

Ai thekson se forcat e ushtrisë e kanë pasur të vështirë të ndërhyjnë në vatrat e mbetura për shkak të natës e relievit të vështirë.

Sipas Peleshit, i cili vlerëson mendimet e shprehura pa teklif, mënyra më e mirë për izolimin e flakëve është nëpërmjet brezave të shpyllëzuar.

“Në këto momente duket se janë izoluar disa nga vatrat më të rrezikshme të zjarrit në Sazan. Trupat e Forcave të Armatosura po punojnë me përkushtim në kushtet kur ndërhyrja në vatrat e mbetura është e vështirë për shkak të relievit dhe të natës.

Sakrifica dhe profesionalizmi i Forcave të Armatosura dhe të gjithë sistemit të Mbrojtjes Civile meritojnë mirënjohje. I vlerësoj të gjitha shqetësimet dhe mendimet e shprehura pa teklif, por ne mbështetemi tek ekspertët e fushës që vlerësojnë se teknika më efikase në rastin e zjarrit në ishullin e Sazanin është izolimi i vatrave duke krijuar breza të shpyllëzuar rreth vatrës.

Me të gjithë partnerët tanë dhe Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile kemi ndërtuar marrëdhënie për të aktivizuar mbështetjen me mjete ajrore shtesë, gjatë stinës së verës, pa humbur kohë nëse do të çmohet e nevojshme nga ekspertët.

Sigurisht prioritet ka mbrojtja e jetës së banorëve dhe më pas e florës e faunës si edhe trashëgimia jonë natyrore e historike. Fatkeqësisht edhe kjo verë do të jetë shumë e nxehtë. Ne do të jemi përkrah bashkive për të mbështetur përballimin e emergjencave të mundshme. Por kemi nevojë edhe për vullnetarizëm dhe angazhim nga të gjithë për të përballuar së bashku situatat e emergjencave, në vend që t’i ndezim akoma më shumë nga tastiera.” – shkruan Peleshi në Facebook.