Vendosni fjalën kyçe....

Hiti i Krishtlindjeve, Mariah Carey përballet me një padi prej 20 milionë dollarësh


Mariah Carey akuzohet se ka kryer “akte pasurimi të pabaza” duke përvetësuar veprën e një autori tjetër këngësh.

Këngëtarja amerikane po përballet me një padi prej 20 milionë dollarësh për të drejtën e autorit në lidhje me hitin e saj të vitit 1994 “All I Want for Christmas Is You”.

Sipas dosjes së paraqitur në Gjykatën e Luizianës, kantautori Andy Stone akuzon këngëtaren dhe bashkë-shkrimtarin e saj Walter Afanasieff se “me vetëdije, me dashje dhe qëllimisht janë përfshirë në një fushatë” për të shkelur të drejtën e tij të autorit për këngën.

Stone pretendon se ai shkroi një këngë me të njëjtin emër në vitin 1989 për Vince Vance & the Valiants dhe nuk e lejoi kurrë të përdorej. Dy këngët kanë tekste dhe muzikë të ndryshme.

Megjithatë, Stone argumenton se Carey dhe Afanasieff zgjodhën të kryenin “akte pasurimi të pabaza” duke përvetësuar në mënyrë të paligjshme punën e tij. Sipas tij, ata vepruan në një mënyrë që “ishte projektuar për të shfrytëzuar popullaritetin dhe stilin unik” të këngës së tij, duke krijuar “konfuzion“.

Stone po kërkon dëmshpërblim prej 20 milionë dollarësh. Carey ende nuk ka komentuar mbi padinë.

“All I Want for Christmas Is You” u regjistrua për albumin e saj të vitit 1994 “Merry Christmas“, i cili u bë albumi më i shitur i Krishtlindjeve në SHBA i të gjitha kohërave, duke shitur më shumë se 15 milionë kopje në mbarë botën. Sipas The Economist, hiti solli mbi 60 milionë dollarë për Carey.

Këngëtarja për çdo vit e shënon fillimin e sezonit të Krishtlindjeve me një video online të shoqëruar me melodinë e këngës.