Vendosni fjalën kyçe....

“Mendoja se kishit vënë mend”- Balla i drejtohet opozitës: Doni të çoni vendin në zgjedhje të parakohshme, por ne vendin pa president nuk do e lëmë


Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, kryetari i Grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se maxhoranca mbetet e hapur që të përfshihet në diskutime me opozitën për presidentin. Por e akuzoi opozitën se kishte strategji që të dështonte procesi, sepse kjo automatikisht çon në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Por shtoi se shumica vendin pa president nuk do e linte.

 Më pas ironizoi opozitën duke theksuar se opozita duhet të kishte vënë mend nga bojkoti.

 “E kam thënë që ditën e parë, mbajeni mend. Opozita, mund ta ketë strategji dështimin e procesit të zgjedhjes së presidentit. Pse?

Sepse dështimi i zgjedhjes së presidentit e çon vendin në zgjedhje të parakohshme. Kështu thotë Kushtetuta.

Jua kam thënë që ditën e parë, nëse ju keni këtë strategji, është strategjia juaj. Shumë mirë. Nëse unë do isha në vendin tuaj do kisha këtë strategji.

Sepse gjithmonë një opozitë do t’i shkurtojë ditët atyre që janë në shumicë.

As këtë se paskeni në konsideratë? Dakord! Po ne vendin pa president nuk do e lëmë. Ne do ta zgjedhim presidentin e Republikës.

 Jemi të gatshëm që të zhvillojmë sot diskutimet. Miqësisht jua them, ajo që bëtë në raundin e tretë, bojkot institucioneve, unë mendoja se keni vënë mend nga bojkoti, por po vazhduat me këtë historinë, malet më të larta thoshte dikush dhe vazhdoni me këtë histori. Ne presim që në ditët dhe orët në vijim, nëse doni që të përfshihemi në këtë proces, dhe nëse doni të kemi dakordësi në emrin e presidentit apo presidentes së republikës ne gati jemi.”– tha Balla.