Vendosni fjalën kyçe....

Vuçiç fton Abazoviçin t’i bashkohet nismës Ballkani i Hapur


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e ftoi kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç, që t’i bashkohet një takimi të nismës rajonale, “Ballkani i Hapur”, që do të mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Më 25 maj, Vuçiç u takua me Abazoviçin, teksa të dy liderët po marrin pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

Forumi në Davos, që nisi më 22 dhe do të zgjasë deri më 26 maj, po mbahet pas një pauze dyvjeçare për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Edhe një mundësi e shkëlqyer për të diskutuar çështje dypalëshe me Dritan Abazoviqin gjatë Forumit Ekonomik Botëror, por edhe për ta ftuar edhe një herë që të bashkohet me ne në takimin e nismës së ‘Ballkanit të Hapur’ në Ohër”, tha Vuçiç përmes një postimi në Instagram.

Ndërkaq, Abazoviç tha se shteti i tij është duke bërë përpjekje për të promovuar një politikë të bashkëpunimit rajonal, pajtimit, bashkëjetesës dhe kohezionit më të mirë ekonomik në Ballkanin Perëndimor.

“Marrëdhëniet me Serbinë janë prioritet – jemi të gatshëm për bashkëpunim intensiv në të gjitha fushat me interes të përbashkët”, shkroi Abazoviç në llogarinë e tij në Twitter.