Vendosni fjalën kyçe....

Kina i dërgon “paralajmërimin solemn” SHBA-së


Pamje nga stërvitja ushtarake detare, Maj 2022

Kina ka kryer së fundmi një seri stërvitjesh ushtarake pranë Tajvanit për t’i treguar SHBA-së vendosmërinë e saj në lidhje me ishullin e vetëqeverisur. Kështu tha një zëdhënës ushtarak të mërkurën.

Siç shkruan RT, Komanda e Teatrit Lindor të Ushtrisë Çlirimtare Popullore Kineze mbajti stërvitje gatishmërie luftarake dhe operacione të tjera stërvitore në det dhe hapësirën ajrore rreth Tajvanit.

Koloneli Shi Yi, i cili është zëdhënës i komandës ushtarake tha se stërvitjet ishin një “paralajmërim solemn” drejtuar SHBA-së në lidhje me çështjen e pavarësisë së propozuar të Tajvanit. Zyrtari shtoi se trupat kineze janë “të vendosura dhe të afta për të penguar çdo ndërhyrje nga forcat e jashtme dhe tentativë për separatizëm” në Tajvan.

Ishulli ishte bastioni i fundit i forcave nacionaliste gjatë Luftës Civile Kineze dhe ka pasur qeverinë e vet që nuk i përgjigjet Pekinit që atëherë. Qeveria kineze e konsideron Tajvanin si nën sovranitetin e saj.

SHBA-të kanë mbështetur autonominë e ishullit, por kanë mbajtur një qëndrim “paqartësie strategjike” si pjesë e afrimit të saj me Pekinin në vitet 1970. Për dekada, Uashingtoni ka qenë i angazhuar për të ndihmuar Tajvanin të mbrohet nga një sulm hipotetik, por nuk ka premtuar në mënyrë eksplicite se do të përdorë ushtrinë e vet për ta bërë këtë.

Megjithatë presidenti Joe Biden u duk se u largua nga ky qëndrim gjatë një konference për shtyp në Tokio të hënën, kur tha se SHBA do të përdorte forcën për të mbrojtur Tajvanin. Kjo ndërsa i përgjigjej një pyetjeje nga një gazetar.

Siç ka ndodhur me një numër deklaratash të fundit që Biden ka bërë për çështje të ndryshme, administrata e tij u tërhoq nga komentet e presidentit dhe tha se SHBA ende ruan paqartësi strategjike për Tajvanin.

Pekini kritikoi deklaratën e Bidenit, të cilën e perceptoi si një shembull tjetër të ndërhyrjes së SHBA-ve.