Vendosni fjalën kyçe....

Avokati i Clinton-it del në gjyq, akuzohet se ka gënjyer dhe manipuluar FBI-në që të hetonte Trump-in


Një avokat i fushatës presidenciale të Hillary Clinton-it në vitin 2016 akuzohet se gënjeu FBI-në për të “manipuluar” agjencinë në mënyrë që ish-zonja e parë të fitonte zgjedhjet e atij viti.

Prokurorët në gjyqin e Michael Sussmann thonë se ai shpresonte të krijonte një “surprizë tetori” në javët e fundit të garës.

Sussmann megjithatë i ka mohuar akuzat ndaj tij dhe pretendon se është i pafajshëm. Siç shkruan BBC ai është i pandehuri i parë që del në gjyq mbi çështjen e hetimit të FBI-së që kërkonte të zbulonte nëse Donald Trump po komplotonte me Rusinë për të fituar zgjedhjet.

Akuzat ndaj Trumpit lindën nga një takim midis Sussmann (i cili është një avokat i sigurisë kibernetike) dhe një agjenti të FBI-së në vitin 2016.

Sussmann prezantoi atë që ai pretendoi se ishte prova e trafikut të dyshimtë të internetit që lidh Organizatën Trump me “Alfa Bank” të Rusisë. FBI-ja shqyrtoi akuzat dhe nuk gjeti asgjë të dyshimtë. Prokurorët thonë se Sussmann gënjeu duke mos zbuluar në takim se ai po punonte për fushatën e demokratëve. Sipas aktakuzës, Sussmann pretendonte se nuk përfaqësonte ndonjë klient të caktuar dhe se ai u paraqit thjesht si një qytetar i shqetësuar.

Avokat që përfaqëson Sussmann e denoncoi gjyqin si një “padrejtësi” në seancën dëgjimore të së martës të mbajtur në Uashington DC.

Sussmann po akuzohet nga Këshilltari Special i Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së, John Durham, i cili u zgjodh nga Prokurori i Përgjithshëm në 2019-ën për të hetuar mbi sjelljen e pahijshme të FBI-së në hetimin origjinal të çështjes Trump-Rusi nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller.

Hetimi i Muellerit në vitin 2019 arriti në përfundimin se nuk mund të gjente asnjë provë të ndonjë komploti kriminal midis fushatës së Trump dhe Rusisë, megjithëse përcaktoi se Rusia kishte kërkuar të ndihmonte që Trump të fitonte. Donald Trump gjithmonë shprehej se hetimi i Muellerit ishte i njëanshëm kundër tij.

Në gjykatë të martën, prokurorja Brittain Shaë argumentoi se Sussmann kishte shpresuar të hidhte një “bombë” në ditët e fundit të garës së nëntorit 2016 dhe Clinton të fitonte.

Avokatët e Sussmann-it megjithatë e konsiderojnë këtë “të pakuptimtë“, duke argumentuar se FBI-ja do ta kishte ditur që ai kishte përfaqësuar Komitetin Kombëtar Demokrat në fillim të atij viti pasi serverët e tyre kompjuterikë u hakeruan.

Megjithëse nuk ka asnjë provë që vetë zonja Clinton qëndron pas shpifjes, kundërshtarët politikë i kanë përbuzur komentet e saj këtë muaj mbi rreziqet e dezinformimit dhe teorive konspirative.