Vendosni fjalën kyçe....

Bie numri i të diplomuarve në të gjitha nivelet, tkurrja më e fortë te 9-vjeçarja


Në vitin shkollor 2020-2021, u diplomuan në arsimin zyrtar 96.005 nxënës dhe studentë, me një ulje prej 2.2%, krahasuar me vitin shkollor 2019-2020.

Ulje në numrin e të diplomuarve kanë pasur të gjithë nivelet arsimore, 9-vjeçar, i mesëm dhe i lartë, raportoi INSTAT.

Tkurrja më e fortë është shënuar në arsimin 9-vjeçar, duke reflektuar plakjen e popullsisë dhe rënien e lindshmërisë vitet e fundit.

Sipas niveleve arsimore, struktura e diplomimeve në arsimin zyrtar është pothuajse e njëjtë, gjatë tre viteve të fundit shkollor/akademik.

Arsimi Parauniversitar 

Në vitin shkollor 2020-2021, në arsimin 9-vjeçar u diplomuan 32.179 nxënës, duke shënuar një ulje prej 4.3%, krahasuar me vitin e kaluar shkollor. Nga të diplomuarit në këtë nivel arsimor 52.9% ishin djem dhe 47.1% vajza.

Në arsimin e mesëm u diplomuan 31.136 nxënës, duke shënuar një ulje prej 1.7%, krahasuar me vitin e kaluar shkollor.

Në këtë nivel arsimor u diplomuan 47.3% djem dhe 52.7% vajza. Në arsimin profesional u diplomuan 3.831 nxënës. Të diplomuarit e arsimit profesional përbëjnë 12.3% të të diplomuarve gjithsej në arsimin e mesëm. Raporti bruto i diplomimit në arsimin e mesëm per vitin shkollor 2020-21 është 79.6%.

Arsimi i Lartë 

Në vitin akademik 2020-21, u diplomuan në arsimin e lartë 32.690 studentë, duke shënuar një ulje të lehtë prej 0.6%, krahasuar me 2019-20.

Studentët e diplomuar në programet Bachelor përbëjnë 54.0% të studentëve të diplomuar gjithsej, ndjekur nga programet Master me 40.8%. Në të gjithë programet e arsimit të lartë, në këtë vit akademik, u diplomuan 21.592 studente femra, ose 66.1% e numrit të përgjithshëm të studentëve të diplomuar në arsimin e lartë.

Administrim biznesi më i preferuari 

Fusha në të cilën janë diplomuar më shumë studentë në të gjitha programet është “Biznes, administrim dhe ligj” prej 30.0% ose më shumë se një e katërta e numrit të përgjithshëm të të diplomuarve.

Fusha e dytë më e preferuar nga meshkujt është “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” me 18.9% të të diplomuarve meshkuj. Ndërsa, nga femrat gjithsej të diplomuara, fusha e dytë e preferuar është “Shëndet dhe mirëqenie” me 18.3% të të diplomuarave.

Analizuar për secilën fushë veçmas, fushat në të cilat janë diplomuar më shumë femrat krahasimisht me meshkujt janë “Arsim” (82.3%), ndjekur nga “Arte dhe shkenca humane” (79.9%) dhe “Shkenca sociale, gazetari dhe informacion” (79.1%).

Fushat në të cilat janë diplomuar më shumë meshkujt krahasimisht me femrat janë “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” (64.4%), “Shërbime” (63.9%) dhe “Teknologjia e informacionit dhe komunikimit” (61.6%).

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al