Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Sa të jem unë në PS s’ka presion ndaj drejtësisë, s’kërkova dënim por hetim


Gjatë konferencës së sotme për mediat, kryeministri Edi Rama pretendon se nuk i ka bërë presion drejtësisë, pavarësisht deklaratave të tij të fundit në Asamblenë e Partisë Socialiste. Ai theksoi se sa të jetë ai në detyrë, nuk do t’i bëhet presion drejtësisë.

“Që të jemi të qartë, garancia se drejtësia mund të hyjë lirisht në oborrin e PS dhe të bëjë drejtësi për këdo që e turpëron këtë parti jemi ne.

Ne këtu, lidershipi i PS dhe vetë kjo parti, askush tjetër. Kjo është çështje zgjedhje nuk është çështje imponimi nga dikush, nga Amerika apo nga Evropa, as detyrimi ndaj Amerikës apo Evropës, kjo është çështje zgjedhje që unë dhe ne e kemi bërë si detyrim për fëmijët tanë.  Duke ja hyrë detit në këmbë kur atëherë kur askush nuk e besonte se do tia dilnim tja kalonim reformën. Ja ku jemi sot.

Prandaj duhet ta kenë të qartë të gjithë, shqiptare ndërkombëtarë gazetare se kjo parti është i vetmi subjekt në këtë vend i vetmi, që as nuk i ka bërë as nuk i bën dhe as nuk do ti bëjë sa të jemi unë këtu ndonjë presion drejtësisë.”– tha Rama.

Duke u ndalur në thirrjet e tij të drejtpërdrejta ndaj SPAK-ut që të hetojë ish-kryeministrin Sali Berisha apo presidentin Ilir Meta, ai thekson se ky nuk është presion.

“Çfarë presioni është të kërkosh hetimin e një ish presidenti e një ish kryeministri të shpallur ‘non grata’ nga SHBA, me akuzat më të rënda të mundshme që lidhen drejtpërdrejt me veprimtarinë e institucioneve të këtij vendi?
E ta bësh këtë, thuajse një vit pasi shpallja ‘non grata’ është bërë dhe pasi Sekretari Amerikan i Shtetit ka kërkuar publikisht në deklaratë se institucionet e këtij vendi duhet të bëjnë punën e tyre? E që të jemi shumë të qartë, unë skam kërkuar e askush nuk ka kërkuar dënim por hetim. Hetim, dënimin nuk e vendosim ne, por të hetohet një çështje që është gur në qafë për Shqipërinë e nuk është çështje e një personi, është domosdoshmëri. Që të zbardhet deri në fund e vërteta nga një drejtësi e drejtë e pavarur, që është e pavarur nuk ka diskutim se sot nuk do ishin pas hekurave ish ministra e ish deputet e ish kryetarë bashkie, të lidhur me këtë parti që është në pushtet, që janë të pavarur kjo nuk ka pikë diskutimi, ndaj kjo drejtësi e pavarur duhet të çlirohet nga çdo frikë e të kaluarës, e më në fund të hetohen 21 janari, krimi shtetëror nuk parashkruhet, nuk ekziston, të hetohet deri në fund nëse është apo nuk është. Të hetohet Gërdeci, disa skandale te mëdha korruptive.

Çfarë ngutje është kjo?! Sot jemi në fund të vitit të tretë që s’kemi folur, përkundrazi, të gjithë baltën për këtë ngurrim të pajustifikueshëm e kam mbajtur unë personalisht.”- u shpreh ai.