Vendosni fjalën kyçe....

UNICEF thirrje Izraelit të ndalë ndërhyrjet në Jenin, po vdesin dhe fëmijë


Fondi i OKB-së për Fëmijët (UNICEF) i bëri thirrje Izraelit “të distancohet nga përdorimi i dhunës kundër fëmijëve dhe t’i japë fund menjëherë dhunës së armatosur” në qytetin Jenin.

Në një deklaratë me shkrim nga drejtoresha e UNICEF-it për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Adele Khodr, thuhet se UNICEF-i ka shqetësim të thellë nga ngjarjet e dhunës në rritje kohët e fundit në Jenin.

“Të gjitha palëve u bëhet thirrje për mbrojtjen e të drejtës së jetës së fëmijëve, të distancohen nga përdorimi i dhunës kundër fëmijëve dhe të ndalin menjëherë dhunën e armatosur”, thuhet në deklaratë.

UNICEF-i njoftoi se në sulmet ku humbin jetën edhe fëmijët, janë plagosur shumë persona, qindra familje janë zhvendosur dhe se ka patur ndërprerje në shërbimet e ujit dhe energjisë elektrike në kampet e refugjatëve.

UNICEF-i ka deklaruar se që nga fillimi i vitit janë vrarë 33 fëmijë, 27 prej të cilëve palestinezë dhe 6 izraelitë si pasojë e ngjarjeve të dhunës në rritje kryesisht në Jerusalem Lindor dhe Bregun Perëndimor

Tërhiqet vëmendja se kjo shifër është më e lartë se humbjet e jetëve në vitin 2022, i cili për fëmijët në Bregun Perëndimor u konsiderua si “viti më vdekjeprurës” që nga viti 2004.

Ushtria izraelite më 3 korrik bastisi dhe rrethoi kampin e refugjatëve “Jenin” në qytetin Jenin në Bregun Perëndimor.

Në sulmet e ashpra të forcave izraelite që vazhduan për rreth 48 orë nga ajri dhe toka, u vranë 12 palestinezë, 4 prej të cilëve fëmijë ndërsa u plagosën 120 persona të tjerë 20 prej të cilëve rëndë.

Njësitë e ushtrisë izraelite mbrëmë filluan të largohen nga kampi i refugjatëve në Jenin.