Vendosni fjalën kyçe....

Opozita në Maqedoninë e Veriut nis bojkotin e parlamentit


Me parulla dhe afishe VMRO-DPMNE-ja krijoi frontin e saj para foltores së Kuvendit për të shënuar fillimin e bllokimit aktiv të ligjvënësit.

Partia opozitare shpreson se në këtë mënyrë do ta detyrojë pushtetin të pranojë zgjedhje të parakohshme, raporton Alsat.

“Bllokim aktiv për shpëtim nga katastrofa kombëtare, bllokim aktiv për shpëtim nga nënçmimi që bëni, bllokim aktiv për shpëtim nga dyfytyrësia të cilën ua tregoni çdo ditë qytetarëve , bllokim aktiv për shpëtim të ekonomisë, bllokim aktiv për shpëtim të ekonomisë, bllokim aktiv për shpëtim të bujqve, bllokim aktiv për shpëtim të të gjithë qytetarëve”, tha Nikolla Micevski, koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së.

“Nëse bllokimi i Kuvendit për ju është shpëtim kombëtar këtë do ta vlerësojnë qytetarët që na sollën këtu dhe ata shtëpia e të cilëve është Kuvendi. Dhe Kuvendi nuk është as shtëpia ime dhe as shtëpia juaj. Kjo është shtëpia e qytetarëve. Nëse mendoni se ashtu duhet, vazhdoni të bllokoni në mënyrë aktive”, u shpreh Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Shumica kundërshton hapin e opozitës, i cili thonë se është në kundërshtim me interesat e qytetarëve.

“Mirë që dolët dhe u fotografuat me atë parullë. Shpresoj se ajo do të shpërndahet në mënyrë masive që të shihet se cila është opozita e vetme në botë që bllokon Kuvendin në kohë krize energjetike të shkaktuar nga lufta në Ukrainë dhe për pasojat ekonomike të krijuara nga kriza kovid”, theksoi Jovan Mitreski, koordinator i grupit parlamentar të LSDM-së.

Partitë e shumicës nuk përjashtojnë mundësinë që do të shfrytëzojnë flamurin e BE-së në propozim ligjet që do të vinë nga qeveria për t’u siguruar që ligje të caktuara të mos mund të bllokohen.

“Bllokimi, bojkoti, sabotimi dhe mosmundësimi i funksionimit të institucioneve të shtetit, në radhë të parë të Kuvendit, me të vërtetë nuk është zgjidhje e duhur. Vendi ka kornizën juridike ekzistuese dhe komfor normave juridike pozitive të vendit, sigurisht se ne do të vazhdojmë me punë”, pohoi Arbër Ademi, koordinator i grupit parlamentar të BDI.

“Është e drejtë legjitime e çdo partie politike të veprojë ashtu si ata mendojnë se është më e pëlqyeshme për to. Mendoj se bllokimi i Kuvendit me kërkesën për zgjedhje të parakohshme nuk korrespondon me realitetin. Mendoj se krijohet në precedent që do të na çojë çdo gjashtë muaj në zgjedhje”, tha Skender Rexhepi, Alternativa.

Deputetët e shumicës kërkojnë që deputetët që bllokojnë të kthejnë pagat e tyre të cilat, sipas LSDM-së, kapin vlerën prej 40 mijë eurosh në muaj.

Deputetët e VMRO-DPMNE-së thonë se nuk do ta bojkotojnë punën e Kuvendit, por do të jenë aty për të bllokuar ligjet e dëmshme.

Bllokimit aktiv i bashkohen edhe dy deputetët e Lëvizjes Besa por jo edhe ata të Aleancës për Shqiptarët.

VMRO-DPMNE-ja nuk ka caktuar afat se sa mund të zgjasë bllokimi. Vendimi erdhi pasi liderët e partive në pushtet nuk pranuan takim për caktimin e zgjedhjeve të parakohshme.