Vendosni fjalën kyçe....

Biden i kërkon Kongresit fuqi të reja për të kapur asetet ruse: Me to ndihmojmë Ukrainën


Presidenti i SHBA-ve Joe Biden do t’i kërkojë zyrtarisht Kongresit këtë të enjte që t’i japë atij autoritetin për të sekuestruar asetet e individëve të pasur që besohet se kanë lidhje me Kremlinin dhe t’i përdorin ato për të ndihmuar Ukrainën.

Kështu ka zbuluar sot Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.

Biden pritet të propozojë një “paketë gjithëpërfshirëse legjislative që do të rrisë autoritetin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të mbajtur përgjegjëse qeverinë ruse dhe oligarkët rusë për luftën e Presidentit Putin kundër Ukrainës”.

Masat do të rezultonin në “konfiskimin e pronës së lidhur me kleptokracinë ruse”, duke lejuar qeverinë amerikane “të përdorë të ardhurat për të mbështetur Ukrainën”.

Sipas propozimit, autoritetet amerikane do të jenë në gjendje të konfiskojnë pronat në SHBA që janë “në pronësi të oligarkëve rusë të sanksionuar dhe që kanë lidhje me sjellje të paligjshme të specifikuara”. Për më tepër, Biden dëshiron ta bëjë të paligjshme për “çdo person të posedojë me vetëdije ose qëllimisht të ardhura të marra drejtpërdrejt nga marrëdhëniet korruptive me qeverinë ruse”.

Deklarata e publikuar nga Shtëpia e Bardhë, megjithatë, nuk specifikon se cilat kritere do të përdoren për të përcaktuar se cilat marrëveshje mund të klasifikohen si “korruptive“.