Vendosni fjalën kyçe....

Sot në orën 15:00 jepet vendimi i KPA-së për Elisabeta Imerajn


Këtë të mërkurë, prokurorja Elisabeta Imeraj do të mësojë vendimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, nëse do e përjashtojë nga sistemi i drejtësisë apo ajo do të vijojë në detyrë.

Kujtojmë se të mërkurën e kaluar, u mbajt seanca e fundit për prokuroren Imeraj ku palët dhanë konkluzionet përfundimtare. 

Në atë seancë, Komisioneri Publik deklaroi se gjatë procesit gjyqësor të zhvilluar në Kolegj, tha se zonja Imeraj “nuk arriti të provojë të kundërtën e shkaqeve të ankimit” dhe kërkoi shkarkimin nga detyra të saj. Por Imeraj nga ana tjetër ndërsa paraqiti në mënyrë të detajuar konkluzionet përfundimtare për të trija kriteret e vlerësimit, në referencë të shkaqeve të ankimit të Komisionerit Publik, e vlerësoi ankimin si të pabazuar në ligj e prova, dhe si të tillë, “të papranueshëm“.

Ajo theksoi se gjatë procesit gjyqësor të zhvilluar në Kolegj kishte arritur të provonte me prova dhe argumente shterues, të kundërtën e ankimit dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit për konfirmimin e saj në detyrë.

Gjyqi për Elisabeta Imerajn, si asnjë tjetër nxorri shumë detaje mbi mënyrën se si po formohet drejtësia e re. Gjatë seancave të gjata që kanë zgjatur deri në 7 orë, Imeraj ka treguar me mesazhe se si ajo është paragjykuar për shkak të prejardhjes së saj nga Veriu (lexo këtu), ka treguar se si ankimimi dhe gjetjet e vëzhguesit të ONM-së janë bazuar në denoncime anonime (lexo këtu) apo në denoncimin e një zonje e cila vuante nga probleme të shëndetit mendor (lexo këtu) dhe pretendon se në këtë proces nuk është trajtuar si e barabartë me të tjerë subjekte të vlerësimit. 

Vendimi përfundimtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit jepet sot në orën 15:00 dhe ndryshe nga seancat e tjera do të transmetohet live për publikun.

Kështu, për pak orë mësojmë cilit do i japë të drejtë KPA dhe mbi të gjitha si do e argumentojë vendimin, që përveçse përcakton fatin e një zyrtari të drejtësisë, do japë për publikun edhe një pasqyrë se si do jetë drejtësia e re që mezi po e presin të gjithë.