Vendosni fjalën kyçe....

Raportuesja për Shqipërinë në PE: Open Balkan nismë e propozuar jashtë rrugës së anëtarësimit në BE


Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos ka deklaruar sot se Shqipëria është shumë pranë çeljes së negociatave për anëtarësimin në BE.

Po kështu eurodeputetja ka theksuar se nisma ‘Open Balkan’ është një nismë e jashtë rrugës së propozuar të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Santos shtoi gjatë intervistës për Gazetashqiptare se rruga më e mirë për Ballkanin është përmes partnerëve europianë.

“Nisma e Ballkanit të Hapur është diçka që varej nga vullneti dhe uniteti i vendeve të ndryshme të Ballkanit Perëndimor. Kjo ishte diçka krejtësisht e propozuar jashtë rrugës së anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe prandaj nuk jam personi i duhur për ta komentuar. Ajo që mund të them është se vazhdoj të besoj se rruga më e mirë përpara për Ballkanin Perëndimor është mes partnerëve të tij evropianë dhe përmes progresit të procesit të anëtarësimit. E kuptoj që për një shumicë të madhe të popullit shqiptar kjo është edhe dëshira e tyre.” – tha Santos.

Ajo komentoi edhe zhvillimet e fundit në opozitën shqiptare duke theksuar se në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, vendi duhet të ketë një mjedis politik të mirë e funksional me institucione demokratike.

“Është e rëndësishme për rrugën drejt Bashkimit Evropian që Shqipëria të ketë një mjedis politik të mirë dhe funksional, me një Parlament të fortë dhe të shëndetshëm, me një qeveri të fortë dhe të shëndetshme dhe me parti kundërshtare dhe që çdo institucion demokratik të funksionojë siç duhet.

Thënë kështu, më duhet të njoh progresin e rëndësishëm të arritur në zgjedhjet e fundit, me rikthimin e të gjitha forcave politike në Parlament, por gjithashtu duhet të them se ka ende vend për përmirësim.” – shtoi Santos.