Vendosni fjalën kyçe....

Pa sovranitet


Nga Sokol Shameti

Në estradën profesioniste të politikës shqiptare ka vetëm një forcë që po e diskrediton veten me më shumë virtuozitet se opozita e djathtë e aeroplanëve ushtarakë të kokainës apo thirrjeve për revolucion borgjez. Kjo është mazhoranca në pushtet.

Nga ana sipërfaqësore, jemi vërtet në mes të një fushëbeteje imazhi. Për shkak se përveçse aty s’kanë ndryshime tjetërkund – është pikërisht pamja e jashtme, ambalazhi dhe simbolika ajo që të dyja palët po i gërryejnë me padurim brejtësi njëra-tjetrës. Por ndërkohë që për t’i nxirë reputacionin qeverisë kujdeset PD-ja, vetë veprimtaria e qeverisë dhe anëtarëve të saj po e minon këtë të fundit edhe në kontent, në adn; në palcën e saj kurrizore e cila dhjetë muaj më parë ngjante solide dhe e freskët si vertebrat e një gjimnasti rishtar. Tashmë, pa u mbushur mirë viti në pultin e komandimit, kurrizi i kësaj qeverie kripto-konservatore është shtrembëruar e konsumuar si të kishte shpenzuar në pushtet jo thjesht dhjetëmujorin e saj formal, por edhe krejt kusurin prej 22 vjetësh neoliberalizëm ekstremist në Shqipëri.

Më shumë se retorika pëdëiste që rreket me mundim të dukshëm të krijojë ndonjë link të sforcuar midis një bolshevizmi sovjeto-imagjinar nga njëra anë dhe Niko Peleshit biznesmen, hallexhi dhe shqytar nga tjetra, acidi i vërtetë që po ia rrjep PS-së shtresën e varakut që kishte kur erdhi në qershor është pikërisht ngjashmëria tronditëse e praktikave të qeveritarëve të sotëm me ato të pushtetarëve të 10 muajve më herët.

Një nga pirgjet e para prej rëre që vetë Partia Socialiste po shkatërron në mënyrë brutale dhe të përditshme qysh prej kur mori çelësat e qeverisë, konsiston në iluzionin sikur kjo organizatë partiake është ashtu siç ka emrin, pra “socialiste”. Një qeveri në aleancë të hapur me biznesin dhe në shërbim të tij nuk ishte ajo që pritej nga masa qindramijëshe që e votoi atë edhe për shkak të ndërsimit të hapur PD-ist të viteve të fundit në dëm të publikes e në favor të privates.

Masat e fundit që orientojnë miliona euro të buxhetit drejt dëmshpërblimeve e shlyerjeve të të ashtuquajturave “borxhe” ndaj biznesit i kanë futur financat e vendit në një kolaps. Në një kaos për të dalë nga i cili ashtu si më 97-ën kur u thirr misioni ushtarak Alba të vendosë rendin, u desh të thirret FMN-ja – forca e armatosur e kapitalit global – për të bërë drejtësi në mënyrën e saj. Tashmë, meqenëse qeveria i harxhoi për biznesmenët paratë që do të duhej të shkonin për rroga e pensione, në Shqipëri ia kanë behur “paqeruajtësit” ekonomikë të cilët do të garantojnë që pagat dhe pensionet në këtë vend të paguhen korrekt në afat, por të mbeten po aq mizerabël sa edhe 23 vjetët e fundit. Me një fjalë, qeveria shqiptare ka hequr dorë në mënyrë vullnetare dhe mendjelehtë nga sovraniteti buxhetor dhe ekonomik.

Mjerisht, kjo frymë “deleguese” e sovranitetit, kjo tendencë neoliberale e decentralizimit të gjithçkaje e të çdo kompetence të qeverisë, po përhapet e po nxitet që të përhapet në mënyrë konsistente tash sa kohë. Rrënjët e saj janë ato tentativat e guximshme që bënin xhiron e lajmeve në kohën e PD-së së djathtë: shteti që i lë në dorë ndonjë agjencie jashtë-shtetërore, mundësisht private, mundësisht të huaj, mundësisht perëndimore, mundësisht anglo-amerikane, gjithçka që është detyrë e tij, duke e reduktuar punën e qeverisë thjesht në marrdhënie publike, dalje në televizor, prerje shiritash të të tjerëve, urime dhe falënderime.

Trendi i PD-së ishte i thjeshtë: të bëjmë tërësisht dhe në të njëjtën kohë në Shqipëri gjithçka që është bërë në shtete neoliberale pak këtu e pak aty (dhe pas shumë rezistence). T’i heqim qeverisë për duarsh gjithçka që është provuar se mund t’i hiqet: lëshim dokumetash identifikimi, mbledhje pagesash për shërbimet publike, transport “publik”, investime publike, mbrojtje ushtarake, madje madje deri edhe komisionim burgjesh private.

Trendi i ri i PS-së është edhe më ekstrem. Jo vetëm të imitojmë ç’është bërë më parë në kastrimin e autoritetit të qeverisë, por të bëhemi edhe novatorë. Të eksplorojmë forma të reja. Vendosja e kujdestarisë së FMN-së mbi financat ishte vetëm njëra ndër këto ide gjeniale transferimi të përgjegjësive. Por shteti ka punë shumë dhe kush merret me të gjitha ato, ndërkohë që koha televizive është e kufizuar dhe konkurrenca atje me botën e shoubizit mbetet e ashpër.

Për ta shitur si sukses një akt dështimi mjafton veç pak. Edhe vetë grija ngjan si dëborë po ta vësh përbri të zezës. Kështu, u desh vetëm pak spektakël mediatik nga ana e vetë përfaqësuesve të shtetit (?!) për të krijuar psikozën se shteti s’ka takat t’i menaxhojë siç duhet doganat e tij ndaj i duhen lënë dikujt tjetër të na e bëjë këtë punë. Një agjenci me emër në anglisht u thirr me urgjencë dhe kapaku i kësaj historie u mbyll këtu.

Së fundi, e njëjta ideologji e superioritetit të huaj përballë paaftësisë sonë përfundimisht të pandreqshme, po përgatit terrenin edhe për një tjetër konkuistë të jo-publikes apo të jashtë-publikes ndaj shoqërisë shqiptare. Drejtësia. Pavarësisht se me këtë sistem ekonomik ku na kanë vendosur nuk ka drejtësi që bën derman, prapëseprapë autoritetet dhe ustallarët e vet propagandistikë po duan t’i bindin shqiptarët se edhe në këtë sistem, fajin pse drejtësia nuk funksionon nuk e ka sistemi por njerëzit, shqiptarët, administratorët e paaftë (siç e kishte Berisha për të korrat e dobëta 8 vjet rresht).

Kështu, po fiton gradualisht e pa u ndier terren përditë ideja e kooptimit prej diku larg të një trupe speciale gjyqësore, diçka si biçim EULEX-i prodhuar enkas për Shqipërinë; një lloj komandoje juridike me pushtet të pakufizuar dhe suprem. Fundja a s’janë të huajt të prerë për të qenë të drejtë e të pagabueshëm ndërsa ne shqiptarët jemi thjesht brigantë të çorganizuar e batakçinj të lindur?

Pas braktisjes së sovranitetit ushtarak dhe ekonomik, ky do të ishte akti i radhës kur qeveria e një vendi sovran si Shqipëria i imponon shoqërisë së vet huamarrjen e një tjetri prej fakulteteve të saj përbërëse. E gjithë kjo parodi tragjike ngjan pjesë e një refreni të njohur tashmë në Shqipëri prej vitesh. Ajo ka shërbyer si një këngë duke kënduar të cilën vendi u zhvesh e zbath mirë e mirë nga çdo industri, nga çdo autoritet publik, nga çdo aftësi prodhuese, vetëkorrigjuese e rigjeneruese.

Por fatkeqësisht, të qeverisësh pa andralla nuk është diçka e mundshme. Nuk ka një shkop magjik për të zgjidhur problemet dhe nuk janë njerëzit ata që duhen fajësuar si të paaftë të funksionojnë në një sistem disfunksional. Në fund, kjo nuk është Shqipëria që duan shqiptarët, të cilët shohin se njëra qeveri pas tjetrës në këto 23 vjet po i turpëron e po ua ul kokën njëra më poshtë se tjetra.

Duke këmbëngulur në idenë se shqiptarët s’janë për gjë dhe se është më mirë që punët të na i bëjnë të huajt, qeveritarët po kontribuojnë në mënyrë të vetëdijshme në shkatërrimin e indit social të vendit. Ata po rrëmihin themelet e besimit tek vetja për një komb të tërë, po e yshtin atë të vetë-portretizohet si një koloni parazitare e dembele që thjesht kryen ciklin e saj duke konsumuar, fjetur, duke u riprodhuar dhe vdekur.

Nga frika se një shoqëri që pulson dhe zhvillohet bëhet më llogarikërkuese, minimalisht ata po kryejnë një krim duke shkatërruar infrastrukturën morale që e ndih shoqërinë të kërkojë realizimin e vetvetes, avancimin e statusit të saj dhe progresin. Maksimalisht – dhe ky do të ishte një peizazh i bukur për t’u soditur – ata po sharrojnë degën mbi të cilën janë ulur vetë.

VINI RE: Artikulli është ripostim i datës 26 prill 2014