Vendosni fjalën kyçe....

Edukimi i të rinjve mbi rregullat e qarkullimit rrugor, Rama: Ulëm me 20% aksidentet


Kryeministri Edi Rama thotë se ka rezultuar me sukses puna e bërë në shkollat e vendit për edukimin e të rinjve mbi rregullat dhe sinjalistikën e qarkullimit rrugor.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama tregon të dhënat e vitit 2021 sipas të cilave në këtë vit ka patur rreth 20 përqind më pak aksidente krahasuar me vitet paraardhëse.

Rama thekson se është ulur me 43% propabiliteti që një drejtues i ri mjeti të përfshihet në aksident rrugor.

“Shkollë më shkollë për të mësuar rregullat dhe sinjalistikën e qarkullimit rrugor, që fëmijët të jenë të sigurt si këmbësorë e pedalues biçiklete sot, po edhe si shoferë nesër.

Viti 2021: 19.9% më pak aksidente rrugore, 18.8% më pak qytetarë të përfshirë në aksidente, 7.5% më pak fatalitete nga aksidentet, 14.8% më pak aksidente shkaktuar nga sjellja e drejtuesit të mjetit, 37% ulje e indeksit të vdekshmërisë për 10,000 mjete! Domethënëse është ulja me 43% e probabilitetit që një drejtues mjeti i sapopatentuar të përfshihet në aksident rrugor.

Automotorizimi Shqiptar (DPSHTRR) po punon me partneritete dhe programe ndërgjegjësuese e formuese, me 304 institucione arsimore publike e private, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit, Ministrinë e Arsimit, Kryqin e Kuq, Klubin Shqiptar të Automobilit dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar për Edukimin mbi Trafikun dhe Sigurinë Rrugore, për moshat nën 18 vjeç, me objektiv Planin Global të OKB, OBSH e FIA për uljen e fataliteteve nga aksidentet rrugore me 50% deri në vitin 2030.”– shkruan Rama, ndërsa publikon disa foto nga Këndi i Sigurisë Rrugore në shkollat 9-vjeçare “Drita Pelinku” dhe “Dora d’Istria”.