Vendosni fjalën kyçe....

I shpëtoi atentatit në Shijak, zbardhet dëshmia e djalit të policit: Po shpërndaja bombola oksigjeni


Orlando Paplekaj i ka shpëtuar për mrekulli një atentati mesditën e sotme në rrugën dytësore në Shijak.

Djali i policit të rendit në Durrës, Prel Paplekaj, i cili edhe më parë vetë ka punuar si efektiv në Policinë e Shtetit, ka treguar se po udhëtonte me një kamionçinë në momentin kur është qëlluar me armë.

Ai është shprehur se nuk ka probleme me njeri dhe se në momentin e incidentit po shpërndante bombola oksigjeni.

“Nuk kam probleme me asnjë person. Unë prej një muaji kam nis punë te kompania dhe shpërndaj bombola oksigjeni nëpër institucione të ndryshme dhe biznese. S’kam lidhje me njerëzit, as me pagesa, asgjë. As probleme personale apo familjare nuk kam.”- tha ai sipas gazetës Panorama.

Për fat të mirë kamionçinën nuk e ka kapur asnjë plumb, ndërsa në vendngjarje janë gjetur 3 gëzhoja.

Babai i tij, Prel Paplekaj, është polic rendi në Durrës dhe është në prag të pensionit. Ata banojnë në lagjen 15 të Porto Romanos, ndërsa kanë ardhur në Durrës pas vitit 1991 nga Tropoja.