Vendosni fjalën kyçe....

Kol Nikolli me telefon nga furgoni i Policisë: Si i kundërshtova policët kur nuk kam qenë fare në atë protestë, arrestimi im vetëm për arsye politike


Kryetari i ish-të Përndjekurve në Mirditë, Kol Nikolli ka folur për mediet pas ndalimit të tij nga policia, lidhur me protestën kundër rritjes së çmimeve të muajit Mars ku u bllokua Rruga e Kombit.

Në një intervistë telefonike për “Report Tv” nga furgoni i Policisë, Nikolli tha se nuk ka qenë fare prezent në protestë. Ai shprehet i habitur pasi thotë se ndaj tij rëndojnë 4 akuza lidhur me protestën, duke përfshirë kundërshtimin e forcave të policisë në një kohë kur ai s’ka qenë fare prezent.

Duke qenë se ai është sekretar i degës së PD-së së Rubikut, ai dyshon se ndalimi i tij është bërë për arsye politike.

“Po jam në furgon të policisë. Isha nisur për në Itali për arsye familjare të miat dhe kur arrita në kufi me ndaluan për arsye të marrjes në protestën e 9 marsit.

Unë nuk kam qenë prezent fare në atë protestë. Më thanë se mbi mua rëndojnë 4 akuza, organizimi në protestë, kundërshtim i forcave të rendit, pjesëmarrje në protestë. Si kam organizuar protestën kur unë nuk kam qenë fare prezent në protestë. Apo si i kam kundërshtuar forcat e rendit kur nuk kam qenë fare atje?!

Unë nuk kam pasur asnjëlloj komunikimi, s’më kanë thënë fare se unë jam në kërkim. Është e qëllimshme, nga punonjësit e policisë, pasi unë nuk kam shkelur asnjë lloj rrethane. Edhe kur më ndaluan aty, ka qenë një sjellje shumë korrekte e Policisë Kufitare. Më thanë pse të kanë ndaluar sepse nuk kam qenë asnjëherë i ndaluar, pasi nuk e shkel ligjin.

Mendoj se është e qëllimshme pasi jam njëkohësisht edhe drejtues i degës së PD-së. He mund të jetë bërë edhe për qëllime politike. Vetëm me këtë e lidh se kur s’kam qenë fare në protestë, si mund të rëndojnë 4 akuza ndaj meje?! Por vetëm se jam sekretar i degës në Rubik. Unë s’jam marrë me atë protestë fare, edhe pse për mendimin tim protesta ka qenë shumë e drejtë. Por s’kam marrë pjesë për arsye të miat.”- tha Nikolli.

Kryetari i të përndjekurve Politikë të Mirditës, Kol Nikolli u ndalua në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit këtë të hënë. Kjo pasi kishte një urdhër arresti ndaj tij për protestën e zhvilluar në muajin Mars kundër rritjes së çmimeve, në rrugën e Kombit. Dhjetëra protestues bllokuan atëherë në shenjë revolte rrugën e Kombit duke penguar qarkullimin e automjeteve.