Vendosni fjalën kyçe....

Raportimet në media: “Alarmi për bombë” në Fier pranë biznesit të shokut të Nuredin Dumanit


Çanta e dyshimtë që alarmoi sot policinë dhe qytetin e Fierit, ishte lënë pranë një biznesi në lagjen “15 Tetori”, që ndodhet në pronësi të një shoku të Nuredin Dumanit.

“ABC News” raporton se çanta është gjetur në biznesin e 40-vjeçarit Henrik Hoxha, i cili u arrestua në të njëjtën natë me Nuredin Dumanin, jashtë apartamentit ku fshihej i shumëkërkuari.

Hoxhaj tashmë ndodhet në burg. Është e paqartë nëse çanta thjesht është harruar në lokalin e tij, apo është vënë atje qëllimisht për t’i dhënë atij një mesazh.

Më herët Policia njoftoi se një çantë e dyshimtë ishte gjetur pranë një biznesi në Fier dhe vendosi kordonin e sigurisë në perimetrin lokalit.

 

Pas ndërhyrjes së njësisë anti eksploziv u zbulua se çanta përmbante një shall, alkool dhe disa sende të tjera. Por nuk përbënte asnjë rrezikshmëri.

Kjo është hera e dytë që ndodh brenda pak ditësh. Vetëm 3 ditë më parë po në Fier u gjet një valixhe në qendër të qytetit, që ngriti në këmbë policinë por më pas rezultoi të ishte vetëm një “alarm i rremë”.