Vendosni fjalën kyçe....

Rrëzohet helikopteri me paqeruajtësit e OKB-së në Kongo, ndërrojnë jetë 8 persona


Tetë anëtarë të MONUSCO, misioni paqeruajtës i OKB-së në Republikën Demokratike të Kongos, kanë ndërruar jetë kur helikopteri i tyre u rrëzua pranë kufirit me Ruandën të martën. Ushtria kongoleze akuzoi militantët e ‘Lëvizjes së 23 Marsit’ për rrëzimin e helikopterit, gjë që rebelët e mohuan.

MONUSCO tha se helikopteri pakistanez me numrin identifikues 810 ishte në një fluturim zbulimi mbi Tshanzu, në provincën Kivu Veriore, pranë kufirit me Ruandën dhe Ugandën. Ai ra të martën në territorin e kontrolluar nga rebelët, i njohur si ‘M23’, sipas një deklarate të zëdhënësit ushtarak kongolez, gjeneral Sylvain Ekenge.

Përveç gjashtë anëtarëve pakistanezë të ekuipazhit, helikopteri mbante nënkolonelin rus Alexey Mizyura dhe nënkolonelin serb Dejan Stanojeviç, që të dy shërbenin me MONUSCO. Ushtria pakistaneze tha se të tetë vdiqën në aksident, por nuk specifikoi shkakun.

Zëvendës komandanti i MONUSCO-s, gjenerali Benoit Chavanat, njoftoi të martën në mëngjes se forca e OKB-së ‘nuk është e përfshirë drejtpërdrejt në luftime’ kundër M23, por se pjesë e mandatit të saj është të ‘veprojë në mbështetje’ të ushtrisë kongoleze për të mbrojtur civilët.

Zona ka parë luftime të vazhdueshme midis ushtrisë kongoleze dhe ‘M23’. Militantët e mbështetur nga Ruanda mendohej se ishin mundur në vitin 2013, me ndihmën e paqeruajtësve të OKB-së, por u ngritën përsëri në nëntor të vitit të kaluar. Ushtria kongoleze ka akuzuar Ruandën se ka ndihmuar ‘M23’ të kryejë bastisje në Kivunë Veriore gjatë fundjavës.

Ndërkohë, Uganda tha se forcat e saj të armatosura janë përleshur me ‘M23’ pranë kufirit me Kongon, pasi rebelët bombarduan një vendbanim civil.