Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi i Ervin Salianjit: Kuvendi po na mban të fshehur dokumentacionin e SPAK-ut për Bllakon


Në një kohë kur sot pritet të bëhet mbledhja e Këshillit të Mandateve për të vendosur mbi kërkesën që SPAK ka bërë për të arrestuar Alqi Bllakon, deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji thotë se Kuvendi po e mban të fshehtë dokumentacionin e dërguar nga Prokuroria e Posaçme.

Në një postim në Facebook, Salianji shprehet se askush nuk e di se cila është arsyeja apo arsyet që Kuvendi i Shqipërisë po ua mban të fshehur anëtarëve të Këshillit dokumentacionin për Bllakon.

Ai e quan këtë një tjetër shkelje flagrante të ligjit.

 “Dje, rreth orës 18:35, në postën elektronike të anëtarëve të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin ka mbërritur një email nga sekretaria e Kuvendit, ku njoftohen për mbledhjen e ditës së nesërme në orën 18:00 për shqyrtimin e kërkesës së SPAK.

Në email thuhet se dokumentacioni shoqërues i kërkesës është gati dhe mund të tërhiqet pranë sekretarisë ditën e nesërme.

Por, e vërteta është se as ditën e nesërme në mëngjes dhe deri më tani, kur na ndajnë më pak se katër orë nga fillimi i mbledhjes së Këshillit, materialet nuk na janë vënë në dispozicion. Kjo në kundërshtim flagrant me Rregulloren e Kuvendit, e cila në nenin 118, pika 1 parashikon se kryetarja e Kuvendit ia dërgon kërkesën dhe dokumentacionin përkatës menjëherë anëtarëve të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
Askush nuk e di se cila është arsyeja apo arsyet që Kuvendi i Shqipërisë iu mban të fshehur anëtarëve të Këshillit, dokumentacionin e dërguar me SPAK. Por, ajo që ne dimë me siguri është se sot pushteti dhe veglat e tij janë në hall, dhe mbi të gjitha se ajo që po bëjnë është një tjetër shkelje flagrante e ligjit. Halli i qeverisë nuk janë zyrtarucët që i ka përdorur dhe më pas i ka lëshuar, halli i tyre është koka e grupit!”– shkruan Salianji.

Një ditë më parë SPAK kërkoi nga Kuvendi autorizim për arrestimin e deputetit të PS-së, Alqi Bllako, si i përfshirë në aferën e inceneratorit të Fierit. Pas kësaj, Bllako reagoi duke njoftuar se ka vendosur të mos presë Kuvendin por ta dorëzojë vetë mandatin dhe do pranojë gjykimin si qytetar i thjeshtë.

Bllako shkruante se një proces i paparagjykuar do provonte që është i pafajshëm dhe shprehej i bindur se nuk ka shkelur ligjin gjatë ushtrimit të detyrës së tij.