Vendosni fjalën kyçe....

Sekretarja britanike: I heqim sanksionet nëse Rusia tërhiqet nga Ukraina


Në një intervistë me ‘Sunday Telegraph’, Sekretarja britanike Truss tha se vendet perëndimore mund të heqin sanksionet ndaj Rusisë me kushtin që Rusia të tërhiqet nga Ukraina dhe të zotohet se nukdo ketë agresion të mëtejshëm.

Ajo i përshkroi sanksionet si ‘levën e fortë’ që duhet përdorur kur kemi të bëjmë me Rusinë, për të cilën ajo pretendoi se nuk kishte respektuar ‘marrëveshjet e shumta’ që kishte nënshkruar.

Truss pohoi se heqja e sanksioneve duhet të shihet si nxitje në këmbim të së cilës presidentit rus Vladimir Putin do t’i kërkohet të ndalojë fushatën e tij ushtarake në Ukrainë.

Megjithatë, nëse do të ketë ‘agresion të mëtejshëm në të ardhmen’ nga ana e Moskës, do të duhej të kishte një opsion në tryezë për të vendosur ‘sanksione të shpejta’, vuri në dukje ajo.

Truss zbuloi se ajo kishte krijuar një ‘njësi negociuese’ të posaçme në Ministrinë e Jashtme, e ngarkuar me ndihmën e bisedimeve të ardhshme të paqes.

Ajo është zyrtarja e parë britanike që sugjeron se sanksionet gjithëpërfshirëse të vendosura ndaj Rusisë mund të hiqen si pjesë e një marrëveshjeje midis Moskës dhe Kievit.