Vendosni fjalën kyçe....

Tentoi të vriste një 38-vjeçar pas konfliktit, arrestohet 50-vjeçari



Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Responde”, duke vënë në pranga një 50-vjeçar që dyshohet se tentoi të vriste me armë zjarri një 38-vjeçar.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Myslym Keta”, ku sipas policisë, pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi A. V., 50 vjeç, është përplasur me shtetasin I. D., 38 vjeç, dhe ka tentuar ta qëllojë me armë zjarri, të cilën e mbante pa leje.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 ndërhynë menjëherë pas njoftimit, duke parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe duke bërë të mundur kapjen e autorit.

Gjatë operacionit u sekuestrua arma e zjarrit, një pistoletë me mulli, së bashku me municion.

Autori tentoi të largohej nga vendngjarja, por u arrestua menjëherë nga policia. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.